Lidhje

EURO 16, Shqipëria vazhdon të ëndërrojë


Ekipi shqiptar fiton me Rumaninë me golin e Sadikut. Me 3 pikët e para kombëtarja e drejtuar nga italiani De Biasi mbetet në pritje të ndeshjeve të fundit në grupet e tjera. Festime në qytetet kryesore të vendit

Shqipëria vazhdon të ëndërrojë për të vazhduar më tej rrugëtimin e saj në finalet e Europianit të Francë 2016, pas fitores së mbrëmjes të së dielës kundër skuadrës së Rumanisë. Goli i realizuar nga Armando Sadiku në minutën e 43-të të pjesës së parë, i pari për kombëtaren shqiptare në këtë garë, e mban ende me shpresë skuadrën e Shqipërisë. Ajo renditet në vendin e tretë në Grupin A, dhe tanimë gjithshka do të mbetet në varësi të rezultateve të ndeshjeve të fundit në grupet e tjera, duke qenë se nga 6 skuadrat e vendeve të treta, katër prej tyre do të kualifikohen për në fazën tjetër.

Pas ndeshjes trajneri italian i ekipit shqiptar Gianni De Biasi tha se “kjo është dita më e bukur në katër vitet e fundit. Mendoj se sot është një fitore historike që vlerëson skuadrën që ka bërë një ndeshje shumë, shumë të bukur. Unë sinqerisht mendoj se si me Zvicrën, ashtu edhe Francën, meritonim më shumë. Mendoj se kemi paguar hyrjen në këtë turne të rëndësishëm, ku skuadrat ishin të një niveli të lartë. Tani jemi mësuar me klimën, skuadra luajti me zgjuarsi në fund dhe nuk rrezikuam shumë me përjashtim të një gjuajtje nga larg”.

Fitorja e mbrëmshme me Rumaninë është festuar deri pas mesnate në shumë qytete të vendit. Në Tiranë trafiku në rrugët e qendrës u bllokua për një kohë të gjatë, pasi qindra automjete me flamujt e Shqipërisë dhe simbolet e kombëtares u derdhën duke festuar me brohoritje dhe këngë, ashtu sikundër ndodhi kur pas fitores më Armeninë, Shqipëria siguroi për herë të parë kualifikimin në finalet e një europiani të futbollit.

XS
SM
MD
LG