Lidhje

Zgjidhet gruaja e parë kryebashkiake e Romës


Koalicioni i Kryeministrit italian Matteo Renzi ka pësuar humbje të rëndësishme në zgjedhjet lokale. Lëvizja e re populiste “5 yje” fitoi në Romë dhe Torino, duke zgjedhur madje në Romë gruan e parë kryetare bashkie në historinë e qytetit. Fushata e lëvizjes është bazuar në protesta kundër korrupsionit në mbarë vendin.

Juristja Virginia Raggi mundi Roberto Giachettin, kandidatin e preferuar të Kryeministrit Matteo Renzi, me një raport votash pothuajse dy me një. 37-vjeçarja Raggi përfaqëson Lëvizjen populiste “5 yje” (M5S), të krijuar vetëm shtatë vjet më parë nga komediani Beppe Grillo.

Zonja Raggi kishte bërë fushatë për t’i dhënë fund korrupsionit në kryeqytetin italian dhe për të përmirësuar formën e keqe të shërbimeve publike në mbarë Romën.

“Do të punojmë që t’u sjellim institucioneve ligjshmëri dhe transparencë. Pas 20 vitesh keqmenaxhimi dhe pas daljes së aferave të Mafias, parimet janë zhdukur.”

Lëvizja është shndërruar në partinë kryesore opozitare përballë koalicionit të qendrës së majtë të Kryeministrit Renzi dhe rezultati shikohet si një ndëshkim paralajmërues i qytetarëve italianë ndaj qeverisjes.

Ndër 100 qytetet që morën pjesë në zgjedhjet lokale italiane ditën e dielë, Roma përfaqëson mbi një të katërtën e popullsisë së vendit.

XS
SM
MD
LG