Lidhje

Senati voton për kontrollin e armëve

  • Michael Bowman

Një javë pas vrasjeve masive në një klub homoseksualësh në Orlando të Floridës, senati amerikan pritet të votojë mbi një seri propozimesh për të bllokuar shitjen e armëve tek të dyshuar terroristë dhe zgjerimin e kontrollit për njerëzit që blejnë armë zjarri në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton se nuk është e qartë se ndonjë masë për kontrollin e armëve do të miratohet në Kongres, ku shumica republikane thotë se terrorizmi i brendshëm, i frymëzuar nga Shteti Islamik, është fajtor për vrasjet në Orlando.

Këmbanat e kishës ranë në Orlando ekzaktësisht një javë pasi Omar Mateen filloi vrasjet në klubin Pulse. Gjatë ditës, familjet varrosët viktimat. Senatori demokrat Chris Murphy:

“Ne nuk kemi bërë asgjë. Asgjë. Mjaft më me masakrimin e të pafajshmëve. Mjaft më me mos-veprimin e Kongresit.”

Demokratët folën për 15 orë rresht në senat, duke kërkuar votimin e një ligji, që ata e quajnë tashmë të vonuar, për të frenuar dhunën nga armët. Senatori demokrat Cory Booker:

“Mjaft. Mjaft. Mjaft. Nuk mund të vazhdojmë dot punën sikur nuk ka ndodhur asnjë.”

Republikanët këmbëngulin se fokusi tek kontrolli i armëve është i gabuar.

“Duam një strategji për të mposhtur ISIS-in, që është frymëzuesi i sulmeve terroriste në vend”, thotë senatori republikan John Cornyn.

Por republikanët ranë dakort të lejojnë votimin sot pasdite.

“Morrëm angazhimin e republikanëve për të sjellë në votim dy projekt-ligje; njeri që shton numrin e kontrolleve që duhen kryer dhe i dyti, që i mban terroristët jashtë listës së njerëzve që mund të blejnë armë”, tha senatori Chris Murphy.

Votimi pritet gjithashtu edhe për propozimet e republikanëve që përcaktojnë të drejtat e pronarëve të armëve.

“Ne nuk duam që terroristët të jenë në gjendje të shkojnë në dyqan dhe të blejnë armë. Ne nuk duam që një qytetari të pafajshëm, që zbaton ligjin, t’i mohohet e drejta që i jep Amendamenti i Dytë i kushtetutës për arsyen se është gabimisht në një list me terroristët. Është shumë e thjeshtë”, thotë senatori republikan Pat Toomey.

Por gjasat që projekt-ligjet për kontrollin e armëve të miratohen në senat janë të vogla, në Dhomën e Përfaqësuesve edhe më të vogla.

“A ndalet terrorizmi duke mohuar Amendamentin e Dytë të Kushtetutës? Jo”, thotë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.

Kësaj pikëpamje i bën jehonë lobi më i madh i të drejtës së armë-mbajtjes në Amerikë.Chris Cox me Shoqatën Kombëtare të Armëve

“Nocioni se kontrolli më i madh i armëve do të ndalojë disa xhihadistë që mendojnë se do të martirizohen duke vrarë njerëz të pafajshëm, qëndron larg natyrës serioze të problemit me të cilin përballemi ”, thotë Chris Cox, me Shoqatën Kombëtare të Armëve.

Javën e kaluar në Orlando, presidenti bëri thirrje për të kapërcyer ndasitë politike.

“Përqafova familjarët dhe prindërit e viktimave. Ata më pyetën, ‘përse vazhdojnë të ndodhin vrasjet?’ M’u lutën të bëjmë më shumë për të ndalur masakrat. Ata nuk duan t’ja dinë për politikën.”

Demokratët dhe republikanët janë të shqetësuar se sulmi i Orlandos nuk do të jetë i fundit në Amerikë. Tani për tani, kjo është pika ku përfundon edhe bashkëpunimi dypartiak.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG