Lidhje

Reforma në drejtësi, nis shqyrtimi i ligjeve të reja

  • Armand Mero

Në Shqipëri Komisioni i Reformës në Drejtësi nisi sot shqyrtimin e ligjeve të nevojshme për të bërë që ndryshimet kushtetuese të parashikuara të jenë të zbatueshme. Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj shpjegoi se kjo fazë është e domosdoshme duke qenë se parashikohet ngritja e institucioneve të reja dhe shkrirja e disa prej atyre ekzistuese. Opozita e cila nuk mori pjesë në mbledhjen e komisionit kundërshtoi nisjen e këtij procesi, përsa kohë sipas saj nuk është rënë ende dakort dhe palët janë në bisedime për gjetjen e një zgjidhjeje të pikës së vetme që ndan palët, atë të formulës së votimit të emërimeve nga ana e parlamentit të disa anëtarëve të institucioneve të sistemit të Drejtësisë.

Pasi pak ditë më parë miratoi projektin e ndryshimeve kushtetuese, Komisioni i Reformës në Drejtësi nis një fazë të re të procesit, atë të ligjeve kryesore që do t’i bënin të zbatueshme ndryshimet kushtetuese. Janë të paktën 7 ligje që sipas kryetarit socialist të Komisionit Fatmir Xhafajt “kanë të bëjnë me detyrimin për ta bërë të zbatueshëm projektin kushtetues. Pa miratimin e këtyre 7 ligjeve, institucionet e reja që ka parashikuar të ngrejë kushtetuta me miratimin e paketës, nuk mund të bëhen efektive. Nga ana tjetër me miratimin e paketës së re kushtetuese, krijohet një vakuum institucional sepse disa nga institucionet aktuale pushojnë së ekzistuari. Kështu që do të duhet të ringrihen institucionet e reja të cilat e kanë të domosdoshme pasjen e ligjeve kuadër”.

Opozita e cila nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme e kundërshtoi nismën e ndërmarrë nga komisioni duke thënë se mbledhja e sotme nuk ka asnjë vlerë. “Eshtë vlerë zero sepse ne kemi bërë shumë të qartë, Partia Demokratike, opozita, është shprehur qartë, pa dakordësuar themelet, që do të thotë, draftin kushtetues, është tërësisht e kotë që të ngremë mure nëpërmjet ligjesh themelore organike, ligje që duhet ta gjejnë plotësisht themelin e tyre në Kushtetutë, dhe ky draft është i pambyllur. Ky draft është ende në diskutim dhe negocim. Siç pranohet edhe prej tyre, ka mundësi që të ndryshojë e për rrjedhojë çdo punë që bën ky komision nuk është gjë tjetër veçse veprim tjetër i njëanshëm, vetëm e vetëm për të krijuar një situatë force, në një situatë negocimi”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Por për zotin Xhafaj, cështja e mungesës së konsensusit për formulën e emërimeve po përdoret si alibi nga opozita, duke shpjeguar që për këtë procedurë është rënë dakort që më parë me të: “Unë jam i keqardhur, përsa kohë që ndajmë të njejtin shqetësim për nevojën e shqyrtimit të njëkohshëm të projektit kushtetuese me paketën e ligjeve. Natyrisht ngelet në zgjedhjen e tyre por mendoj se është një zgjedhje e gabuar ky bojkot i opozitës ndaj komisionit të posaçëm parlamentar”.

Zoti Bylykbashi megjithatë ka një tjetër shpjegim: “Eshtë rënë dakort vetëm për dicka, që kushtetuta dhe ligjet do të bëhen së bashku. Kjo nuk do të thotë të bëhen brenda të njëjtës kohë. Do të thotë që pasi është mbyllur kushtetuta, të shihet me qartësi maksimale sesi ai draft i dakortësuar me konsensus do të zbatohet pikë për pikë tek ligjet organike. Për ndryshe, ekzistonte rreziku që me një kushtetutë të dakortësuar me konsensus , mazhoranca me tri të pestat e votave që ajo i zotëron edhe në mënyrë aspak ortodokse duke peshkuar mandatet, ta ç’bënte konsensusin kushtetues në favor të saj”.

Ligjet që pritet të kalojnë brenda gjysmës së parë të korrikut kanë të bëjnë ndër të tjera me Gjykatën Kushtetuese, organizimin e gjyqësorit dhe të prokurorisë, apo ngritjen e prokurorisë speciale antikorrupsion dhe Byrosë së Hetimit apo dhe me procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

XS
SM
MD
LG