Lidhje

Vrasja e deputetes britanike dhe qendrimi në B.E.


Fushata në Britani është në fazën përfundimtare përpara referendumit të së enjtes për të qëndruar në B.E. ose jo, ndërsa sondazhet tregojnë se vrasja e ligjvënëses Jo Cox nga një ekstremist i dyshuar i krahut të djathtë, mund ta ndryshojë balancën në favor të ruajtjes së status quo-së.

"Mendoj se vrasja ka ndikuar tek shumë votues të lëkundur", thotë Andrew Hawkins, kreu i ComRes, një firmë kërkimore në Londër sondazhi i fundit i të cilës sugjeron se mbështetja për të qëndruar në B.E.është në rritje mes votuesve të cilët më parë quheshin të pavendosur.

Deri në mes të javës së kaluar, sondazhi i qendrës ComRes tregoi se fushata e përkrahësve të daljes së Britanisë nga B.E. kishte fituar vrull duke arritur vetëm një për qind mbrapa fushatës për qëndrimin në B.E..

"Por sondazhi i fundit tregon se ky vrull është ndalur nga ngjarjet e së enjtes kur ligjvënësja Cox u vra", tha Andrew Hawkins për Zërin e Amerikës.

Thomas Mair, 52 vjeç, është akuzuar për të shtënat dhe goditjen vdekjeprurëse me thikë të zonjës Cox, deputete që njihej si përkrahëse e emigrantëve dhe refugjatëve. Në paraqitjen e tij të parë në gjykatë të shtunën, Mair, për të cilin njoftimet thonë se ka një histori të lidhjeve me grupe raciste dhe vuan nga probleme mendore, nuk pranoi të identifikojë veten me emrin e tij ligjor, duke thënë se emri i tij ishte "vdekje tradhtarëve, liri Britanisë".

Vrasja e deputetes Cox tronditi Britaninë dhe bëri që të dy kampet të pezullonin fushatën për tre ditë.

Fushata rifilloi të dielën, me të dyja palët duke mbajtur tubime të mëdha në Londër dhe duke bërë përpjekje për të ulur tonet e tyre në fund të asaj që vëzhguesit thonë se ka qenë një fuashtë e hidhur dhe e keqe drejt referendumin që shumë vetëmendojnë se shkaktoi vrasjen e deputetes Cox.

Emigracioni ka qenë një çështje kyçe mes votuesve të pakënaqur me shoqërinë në rritje shumë-kulturore të Britanisë, frikë që u bë edhe më e madhe vitin e kaluar nga kriza e migrantëve dhe imazhet e një fluksi masiv të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Mbështetësit e fushatës për të dalë nga B.E.kanë synuar votuesit e moshuar të cilët janë të shqetësuar lidhur me sovranitetin e vendit dhe prishjen e ekuilibrit nga një aparat qeverisës i Bashkimit Evropian, në të cilën votuesit britanikë nuk zgjedhin drejtpërdrejtë përfaqësuesit e tyre. Shumë përkrahës të fushatës për daljen e Britanisë nga B.E. janë punëtorë që e shohin valën e emigrantëve si kërcënuese për jetesën e tyre.

Këto ndjenja nxitën lëvizjen kundër emigrantëve, si ajo e udhëhequr nga Nigel Farage, një ligjvënës i ekstremit të djathtë, për të dalë me një poster fushate, që u kritikua ashpër, ku shihen radhë emigrantësh dhe refugjatësh që presin në kufirin e B.E..

Ndër politikanët që e kritikuan një qëndrim të tillë ishte edhe ministri konservator i financave George Osborne, i cili tha se posteri të kujton propagandën ksenofobike të nazistëve gjermanë në vitet 1930.

Vendosja e këtij posteri bëri që ish kryetarja e Partisë Konservatore në pushtet t’i japëfund mbështetjes së saj për daljen e Britanisë nga B.E., Sayeeda Warsi, e bija e emigrantëve pakistanezë dhe gruaja e parë myslimane në krye të Partisë Konservatore, tha se "urrejtja dhe ksenofobia" e portretizuar në poster u bë shkak që ajo të ndryshojë qëndrimin e saj mbi Brexit, duke i thënë gazetës Times se, "unë nuk mund të vazhdojë ta mbështesë daljen nga B.E.. "

Vendimi i zonjës Warsi duket se pasqyron qëndrimet e votuesve të pavendosur më parë që morën pjesë në sondazhin e organizuar nga firma e Andrew Hawkins. "Duket se konfirmon dyshimet e tyre se fushata ishte e keqe, se ne të gjithë duhet ta injorojmë tonin e fushatës dhe ta marrim vendimin bazuar në fakte", tha zoti Hawkins.

XS
SM
MD
LG