Lidhje

Clinton sulmon rivalin Trump për ekonominë


Kandidatja e pritshme demokrate për presidente, Hillary Clinton e portretizoi rivalin republikan Donald Trump si të papërshtatshëm për të drejtuar ekonominë, duke thënë se politikat e tij të "papërgjegjshme" do "ta hedhin vendin përsëri në recesion" dhe do të rrisin papunësinë.

Duke folur të martën në shtetin e Ohajos, zonja Clinton sulmoi të kaluarën e kandidatit Trump në fushën e biznesit si një tregues se si ai do ta menaxhojë ekonominë më të madhe të botës.

Ajo përmendi falimentime dhe padi të shumta të ngritura ndaj zotit Trump, duke përfshirë sipërmarrjen e tij në fushën e arsimit, Universitetin Trump.

Clinton, Trump dhe sondazhet

Zonja Clinton shpreson të bindë votuesit se ajo do të jetë një administratore më e mirë e ekonomisë.

Por disa sondazhe të fundit tregojnë se shumica e votuesve të mundshëm favorizojnë zotin Trump në çështjet ekonomike.

Një sondazh i kompanisë Gallup i kryer gjatë këtij muaji tregon se zoti Trump është 10 pikë përpara zonjës Clinton për pyetjen se kush duhet besuar më shumë për ekonominë dhe shtatë pikë përsa i përket punësimit.

Kandidati Trump, republikanët dhe fondet e fushatës

Donald Trump, kandidati i pritshëm presidencial republikan thotë se po përpiqet për të fituar mbështetje nga zyrtarët republikanë, por shpreh pak shqetësim për faktin që është prapa demokrates Hillary Clinton në mbledhjen e fondeve për zgjedhjet e 8 nëntorit.

Manjati miliarder i pasurive të patundshme, dikur personalitet televiziv i bëri komentet pak orë pas njoftimeve të reja se fushata e tij kishte vetëm 1.3 milion dollarë fonde në fillim të qershorit, në krahasim me zonjën Klinton që kishte 42.5 milionë.

"Hillary Clinton do të shpenzojë një miliard dollarët nga paratë e Wall Streetit dhe Lindjes së Mesme", tha zoti Trump për Fox News. "Ndërsa unë kam vetëm një burim, paratë e mia.”

Zyrtarët e lartë republikanë, përfshirë ligjvënësit kryesorë në Kongres, po tregohen të ngadalshëm për të mbështetur kandidaturën e zotit Trump, duke thënë se kanë në plan të votojnë për të, ndërsa kritikojnë thirrjet e tij për një ndalim të përkohshëm që muslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Disa republikanë, duke përfshirë kandidatin presidencial të vitit 2012, Mitt Romney, kanë thënë se nuk e përkrahin zotin Trump, duke i cilësuar komentet e tij si fyerje ndaj muslimanëve, meksikanëve, grave dhe të paaftëve.

Trump, po rigjallëron fushatën?

Me mbledhjen e fondeve që pakësohen dhe sondazhet në shkallë kombëtare që tregojnë se zonja Clinton gëzon popullaritet 5.8-përqind më të lartë, kandidati Trump shkarkoi të hënën menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski.

Zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2012 treguan se paratë janë faktor i rëndësishëm në fushatat moderne. Komisioni i fushatës së presidentit Barack Obama shpenzoi 775 milionë dollarë për rizgjedhje më 2012, ndërsa Mitt Romney 460 milionë.

XS
SM
MD
LG