Lidhje

Bllokohet ligji i imigracionit


Presidenti Barack Obama dhe disa ligjvenës demokratë në Kongres, kanë fajësuar republikanët për rezultatin e votimit në Gjykatën e Lartë të enjten. Gjykata e Lartë nuk arriti të marrë një vendim për planin e imigracionit të presidentit Obama, pasi vota u nda në barazim, 4 me 4. Senati, i dominuar nga republikanët, ka refuzuar të votojë për anëtarin e 9 të Gjykatës së Lartë, që pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia në muajin shkurt. Presidenti kishte kërkuar amnesti për emigrantët pa dokumenta. Ky ngërç lë në pushtet vendimin e një gjykate më të ulët, e cila hodhi poshtë planin e Obamës për ndalimin e deportimeve.

Presidenti paralajmëroi se vendimi i Gjykatës së Lartë do të ketë pasoja ekonomike dhe sociale për Shtetet e Bashkuara.

"Vendimi i sotëm është shqetësues për ata që kontribuojnë për rritjen e ekonomisë sonë dhe që kërkojnë një lloj praktikaliteti në sistemin tonë të imigracionit, për t’i lejuar njerëzit që të mos rinë më të fshehur dhe të largojnë pasigurinë me të cilën ndeshen", tha presidenti Obama.

Zori Obama tha se sistemi amerikan i imigracionit ka qenë jo fuksional për më shumë se dy dekada. Ai fajësoi republikanët për rezultatin e votimit të së enjtes, pasi ata kanë bllokuar emërimin e një gjykatësi të ri për të zëvendësuar Antonin Scalian.

"Republikanët në Kongres po ndalin me dashje Gjykatën e Lartë të jetë e plotësuar me personel dhe të funksionojë ashtu siç e kishin parashikuar themeluesit e kombit. Situata sot nënvizon faktin se gjykata nuk është në gjendje të funksionojë në mënyrën që duhet", tha presidenti.

Por presidenti shprehu gjithashtu besim se reforma e imigracionit eventualisht do të miratohet pasi Kongresi nuk mund të injorojë problemin përgjithmonë. Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi u tha gazetarëve se organizatat e biznesit në mbarë vendin kanë shprehur nevojën për reformën e imigracionit.

"Çdo grup që takon, në një mënyrë apo në një tjetër flet për nevojën e një reforme bashkëkohore të imigracionit. Të vetmit njerëz që duket se nuk e kuptojnë këtë janë republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve", tha zonja Pelosi.

Republikanët nga ana e tyre pretendojnë se demokracia ka fituar.

"Kongresi, dhe jo presidenti, harton ligjet. Sot Gjykata e Lartë vërtetoi këtë parim themelor, të rëndësishëm," tha Paul Ryen, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Republikanët po shpresojnë të rimarrin Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit me ndihmën e votuesve që kërkojnë ligje më të forta të imigracionit.

"Hillary Clinton ka shkuar më tej sesa Presidenti Obama. Hillary Clinton ka thënë se nuk do të deportojnë askënd nëse nuk ka kryer një krim të dhunëshëm apo është terrorist", thotë senatori i Alabamës, Jeffrey Sessions.

Kandidati presidencial republikan Donald Trump ka premtuar të jetë i ashpër ndaj imigracionit të paligjshëm nëse zgjidhet. Por shumë amerikanë e konsiderojnë deportimin si jo human dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG