Lidhje

Orban, kritika të ashpra për gjendjen në BE


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha sot se Bashkimi Evropian është një organizëm “i çrregullt”, i cili duhet ndryshuar pas vendimit të Britanisë për t’u larguar nga unioni.

Ai kritikoi ashpër gjendjen e BE-së dhe parashikoi se në të ardhmen do të triumfojnë vendet që do të garantojnë sigurinë dhe ligjshmërinë për shtetasit e tyre.

Gjatë një ceremonie diplomimi në akademinë ushtarake hungareze, kryeministri Viktor Orban kritikoi ashpër gjendjen e tanishme të Bashkimi Evropian:

“Populli hungarez është shembulli i rregullit në një Evropë gjithnjë e më të çrregullt. Shumë udhëheqës evropianë nuk duan të përballen me valët e emigracionit të paligjshëm. Si rezultat, po degjeneron siguria publike, po shtohet kërcënimi i dhunës dhe i pakënaqësisë së përgjithshme.”

Zoti Orban, i cili është përplasur shpesh me Brukselin, tha se britanikët dëshirojnë të largohen nga BE-ja pasi janë të lodhur nga pasiguria që ajo ofron:

“Qytetarët e Britanisë, një prej vendeve më të mëdha të BE-së, vendosën të rimarrin të ardhmen në duart e tyre. Nuk duan më kritika, pasiguri, paralizë dhe fjalë boshe që i bëjnë të ndjehen gjithnjë e më pak në Evropë si në shtëpinë e tyre.”

Zoti Orban deklaroi se tashmë çdo gjë do të rishikohet dhe ribëhet për shkak të realitetit të tanishëm:

“Është shumë domethënëse që në pak javë qindra mijëra emigrantë të paligjshëm kanë mundësinë të rrethojnë kufijtë tanë. Është bërë normë që të lulëzojë trafiku i qenieve njerëzore në kufijtë e BE-së. Është bërë e zakonshme që njerëzit të jetojnë në frikë dhe nën hijen e terrorizmit. Kriminaliteti kibernetik është përhapur dhe ndryshimet klimatike sfidojnë vazhdimisht shërbimet e emergjencës. Evropa e sotme e rrëmujshme është e paaftë të gjejë zgjidhjet për këto sfida. Në të ardhmen, vendet që do të jenë në avantazh janë ato që do të ruajnë rregullin dhe që do të garantojnë sigurinë dhe ligjshmërinë për qytetarët e tyre.”

Nën qeverisjen e Kryeministrit Orban, Hungaria ishte ndër vendet e para të BE-së që ndërtuan vitin e kaluar një gardh me tela me gjemba për të frenuar rrjedhën e emigrantëve.

XS
SM
MD
LG