Lidhje

Ndikimi i Brexit në fushatën zgjedhore në SHBA


Vendimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Evropian ka bërë jehonë edhe në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, kandidati i pritshëm i republikaëve për president, Donald Trump e sheh lëvizjen e Britanisë si një ripohim të mesazheve kryesore të fushatës së tij, ndërkohë që kandidatja demokratja Hillary Clinton i sheh komentet e tij si një provë të mëtejshme se Trumpi është i paaftë për postin e presidentit.

Dalja e papritur e Britanisë nga B.E. e vuri në një pozitë të vështirë administratën e Presidentit Obama, e cila shpresonte për rezultat tjetër.John Kerry, Sekretar i Shtetit:

"Një vend ka marrë një vendim. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara shpresonin për një vendim tjetër. Por kjo nuk ndodhi. Kështu që ne tani fillojmë të respektojmë vendimin e votuesve."

Por, kandidati i pritshëm i republikanëve për president, Donald Trump e mirëpriti rezultatin.

"Njerëzit duan të rimarrin vendin e tyre. Ata duan të kenë pavarësi, në njëfarë mënyrë ... Unë shoh një paralele mes asaj që po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe asaj që po ndodh këtu. Njerëzit duan të shohin kufijtë."

Kandidatja e pritshme demokrate, Hillari Klinton kritikoi reagimin e zotit Trump duke thënë se nga paqëndrueshmëria monetare britanike mund të përfitojnë bizineset e tij në Skoci.

Por ndërkohë që votimi britanikëve për dalje nga B.E. nënvizoi pakënaqësinë e publikut në njërën anë të Atlantikut, republikanët thonë se ndjenja të ngjashme ekzistojnë edhe në anën tjetër të tij. Senatori republikan Mitch McConnell:

"Ajo që pashë në Angli, të paktën nga ajo që kam lexuar, është se njerëzit janë lodhur nga burokratët e pazgjedhur në Bruksel. Dhe sigurisht edhe ne kemi shumë njërëz të tillë në këtë vend. Shumë burokratë të administratës po zgjerojnë rregulloret në një mënyrë që ngadalëson ekonominë tonë dhe vështirëson rritjen e saj."

Një anketë e re tregon se zonja Clinton kryeson ndaj zotit Trump, por shumica e votuesve duan një drejtim të ri për Amerikën. Demokratët këmbëngulin se elektorati nuk është i verbuar nga nervozizmi dhe pakënaqësitë.

"Dallimet mes Sekretares Clinton dhe Donald Trumpit sa i përket temperamentit, aftësisë së gjykimit, dhe vlerave janë shumë të qarta. Dhe ato u ekspozuan edhe një herë gjatë dy javëve të fundit", thotë Sekretari i Departamentit të Punës Tom Perez.

Ngjarjet shokuese në anëtë tjetër të Atlantikut mund ta bëjnë rimëkëmbjen e dobët të ekonomisë amerikane një nga çështjet më të rëndësishme gjatë zgjedhjeve. Administrata e Presidentit Obama po thekson nevojën për të minimizuar efektet e daljes së Britanisë nga BE.

XS
SM
MD
LG