Lidhje

Fushata për lejen e lindjes me pagesë

  • Julie Taboh

Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend i zhvilluar që nuk e ka të mandatuar lejen e lindjes me pagesë për shtetasit. Kjo bën që nënat e punësuara dhe baballarët të kenë mundësi të kufizuara pas lindjes së fëmijës. Por, disa shtete amerikane kanë filluar të udhëheqin në zbatimin e politikave për lejen e lindjes me pagesë, përfshi Kaliforninë, Nju Xhersin dhe Rod Ajllënd. Nju Jorku sapo i është shtuar listës ndërsa në kryeqytetin amerikan sapo është paraqitur një legjislacion. Nëse miratohet, ligjvënësit dhe banorët e Uashingtonit shpresojnë se qyteti do të sherbente si model për shtetet e tjera. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, bisedoi me një familje këtu në Uashington që ka bërë fushatë për ndryshime.

Rob dhe Jessica Lott janë prindërit e lumtur dhe krenarë të bebes Shulie.Si të gjithë prindërit, ata mezi prisnin ardhjen në jetë të vajzës dhe kënaqësinë që ofron shpenzimi i kohës kryesisht në muajt e parë të lindjes.

Por pa leje të paguara lindjeje, prindërit që punojnë duhet të merren vesh me punëdhënësin për të marrë leje, ose të përdorin ditët e caktuara për pushime.

“Kur lindi vajza, puna më ofroi katër javë leje të paguar ndërsa punëdhënësi i burrit nuk ofroi leje lindjeje”, thotë Jessica Lott.

“Për fat të mirë, kisha ca ditë pushime, afro dy javë, që i përdora por nuk ishin të mjaftueshme. E kaluam disi por do të kisha patur dëshirë të kisha qendruar më gjatë në shtëpi me Jessin dhe me Shulin kur ishte vetem disa javëshe”, thotë Rob Lott.

Kjo dëshirë për leje lindje së shpejti mund të arrihet për banorët e Uashingtonit. Akti për leje familjare të lindjes do të ofronte pushime me pagesë për prindërit e rinj.

Zonja Lott ka qënë e angazhuar në fushatë në mënyrë aktive. Kohët e fundit ajo u takua me anëtarin e Këshilli të Uashingtonit Charles Allen, i cili është bashkë-sponsor i legjislacionit.

“Kur një punëdhënës ofron leje familjare të paguar, kjo kompani bëhet edhe më e fuqishme dhe më tërheqëse për ata që kërkojnë punë”, thotë zoti Allen.

Legjislacioni do të rriste taksën mbi pagën me 1 përqind për të përballuar lejen me pagesë. Por nuk do të ishte e mjaftueshme, thotë Marc Freedman i Dhomës Amerikane të Tregtisë, dhe do të ishte barrë e padrejtë për punëdhënësit.

“Punëdhënësit ofrojnë leje lindje të paguar në bazë të mundësive. Kur nuk e përballojnë, atëherë zakonisht kjo është arsyeja që nuk e ofrojnë atë.”

Ligjvënësja Loretta Sanchez është nga Kalifornia, një prej shteteve që kërkon leje lindje të paguar.

“Bizneset e vogla kanë vështirësi, madje nganjëherë të paguajnë rrogat. Por nëse bëjmë diçka për të siguruar vazhdimësinë e tyre dhe njëkohësisht këto biznese të ofrojnë leje lindje me pagesë, kjo do të ishte diçka që do t’i kushtoja vëmendje.”

“Nuk mund të ofrojnë një alternativë ideale. Por në disa mënyra mund të strukturohej si një stimul. Duhet të jetë një mënyrë që punëdhënësi të ketë një sistem që plotëson disa kushte dhe ta zbatonin bazuar në mundësitë që kanë”, thotë Marc Freedman.

Pavarësisht hartimit të legjislacionit, mbështetësit do të vazhdojnë të bëjnë fushatë për leje lindje me pagesë për të gjithë shtetasit amerikanë.

“Synimi është që Uashingtoni të hapë rrugën në këtë drejtim”, thotë Rob Lott.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG