Lidhje

Një tjetër ditë e vështirë për Britaninë


Sot ishte një tjetër ditë e vështirë për Britaninë, ndërkohë që Kryeministri David Cameron shkoi në Bruksel për t’u takuar me udhëheqësit e BE-së, për herë të parë që nga vendimi britanik për t’u larguar nga BE-ja. Ai përballet me pyetjen e vështirë se si dhe kur ka në plan Britania të fillojë procesin e shkëputjes.

“Dua që Mbretëria e Bashkuara ta sqarojë pozicionin e saj. Jo sot, as nesër në orën 9, por shpejt,” Presidenti i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker në një sesion të ngutshëm të Parlamentit Evropian, i pari i këtij lloji deri më sot.

Udhëheqësit britanikë nuk nguten për të filluar procesin e largimit. Kryeministri Cameron e ka bërë të qartë se do të jetë pasardhësi i tij e jo ai vetë që do të fillojë procesin, duke vënë në veprim nenin 50 të Traktatit të Lisbonës mbi bisedimet e largimit.

Partia konservatore e zotit Cameron ka në plan ta fillojë procesin e emërimit të udhëheqësit të ri të enjten dhe pret ta ketë emëruar atë deri në 2 shtator.

Por Franca dhe vendet e tjera anëtare të BE-së duan që kjo të bëhet më shpejt, sepse sa më gjatë të pritet, aq më i madh do të jetë dëmi ekonomik.

BE, PROCESI I LARGIMIT DHE ZËRAT NDRYSHE

Pas votës historike të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, udhëheqësit e BE-së janë duke diskutuar mbi një të ardhme pa Britaninë, duke i bërë thirrje asaj të largohet sa më shpejt nga blloku.

Donald Tusk, President i Këshillit Evropian tha se BE-ja ka tashmë një plan pune dhe procedura të sakta.

"Së pari dua të them se, duke respektuar vullnetin e votuesve britanikë, ne duhet të respektojmë gjithashtu traktatet tona dhe, sipas tyre, është qeveria britanike që fillon procesin e daljes nga BE-ja. Kjo është mënyra e vetme ligjore që kemi,” tha zoti Tusk.

Zoti Tusk tha se udhëheqësit do të mbajnë një takim jozyrtar në muajin shtator:

"Kemi nevojë për disa javë për të përgatitur këtë proces dhe ndoshta vendi më i mirë do të jetë Bratislava, sepse në atë kohë ne do të jemi nën kryesinë sllovake."

Ndërkohë, sot në Parlamentin Evropian, Nigel Farage, kreu i Partisë së Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar parashikoi se do të ketë edhe vende të tjera anëtare që do të ndjekin shembullin e Britanisë për t’u shkëputur nga blloku:

“Do të bëj sot një parashikim: Britania nuk do të jetë shteti i fundit anëtar që largohet nga Bashkimi Evropian. Çështja është, çfarë duhet të bëjmë tani? I takon qeverisë britanike të kërkojë zbatimin e nenit 50. E kam thënë dhe e them, nuk mendoj se duhet të shpenzojmë shumë kohë për ta bërë këtë.”

Fjalimi i tij u fishkëllye dhe u ndërpre herë pas here.

Duke marrë fjalën pas zotit Farage, Kryetarja e partisë franceze të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e vlerësoi vendimin britanik:

"Vota e miqve tanë britanikë për t’u larguar nga BE-ja, është absolutisht ngjarja më e rëndësishme politike në kontinentin tonë që nga rënia e Murit të Berlinit. Është një fanar global për liri. Dhe një deklaratë dashurie nga populli i atij vendi.”

Britania është përballur me thirrje të zemëruara nga udhëheqësit e tjerë evropianë, që vendi të veprojë shpejt për të zgjidhur kaosin politik dhe ekonomik që pasoi votimin për largim nga Bashkimi Evropian, vendim që sipas FMN-së do të jetë një trysni mbi rritjen globale.

XS
SM
MD
LG