Lidhje

Basha i përgjigjet ambasadorit Lu

  • Armand Mero

Reforma në Drejtësi, kryetari i opozitës reagon pas kritikave të një dite më parë lidhur me qëndrimin e opozitës: Propozimet për zgjidhje “kanë qenë e njejta prerje, në shmangie të rekomandimit 88 të Venecias. Ndryshe nga ç'pretendohet, nuk kanë qenë të arsyeshme”

Në Shqipëri kryetari demokrat Lulzim Basha deklaroi sot pasdite se opozita nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi “pa materializimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias”, duke saktësuar se propozimet që janë ofruar si zgjidhje nuk respektonin sipas tij këtë rekomandim. Deklaratat e zotit Basha vijnë si një përgjigje ndaj kritikave të djeshme të ambasadorit amerikan Donald Lu lidhur me qëndrimet e opozitës për Reformën. Ato u bënë po përmes rrjetit social Facebook, ku dhe ambasadori Lu shpërndau dje pasdite shkrimin e tij, dhe u publikuan në të njejtën orë në të cilën diplomati amerikan shprehu vlerësimet e tij.

Ambasadori Lu bëri të ditur dje pasdite se që prej 4 majit të shkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi europian i kanë ofruar shumicës dhe opozitës në Shqipëri tre zgjidhje kompromisi, për të kapërcyer ngërçin që mban të bllokuar reformën në Drejtësi. “Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Zoti Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”, shkruante ambasadori Lu, duke shtuar se “mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”.

Por për kryetarin e opozitës këto propozime “kanë qenë e njejta prerje, në shmangie të rekomandimit 88 të Venecias, veçse me veshje të ndryshuar. Ndryshe nga ç'pretendohet, nuk kanë qenë të arsyeshme pasi nuk ka si të ketë arsye përtej rekomandimit 88 të Venecias. Nuk ka si te jetë i arsyeshëm asnjë propozim që ndërsa me një dore jep 3/5 apo 2/3-tat e votimit në Kuvend, me dorën tjeter e zhbën këtë kuorum përmes një mekanizimi që i jep qeverisë kontrollin e hartimit të listave duke përjashtuar opozitën tërësisht nga çdo rol. Çdo variant i këtillë, i kujtdo qoftë, është në kundërshtim me rekomandimin 88 që përcakton rol substancial të opozitës përmes përfaqësimit të saj të drejtë”, shkruan zoti Basha.

Palët në Shqipëri kanë rënë dakort me projektin e ndryshimeve kushtetuese, përvec formulës së emërimeve nga ana e parlamentit të disa anëtarëve të institucioneve të sistemit të Drejtësisë. Opozita këmbëngul në formulën e “vendeve të rezervuara”, një ndarje proporcionale sipas peshës së forcave kryesore politike. “Përjashtuar një pike parimore që lidhet me rekomandimin 88 të Venecias për katër institucionet, pjesa tjetër e draftit të ndryshimeve të Kushtetutës është pranuar nga opozita si i kapërdishëm, ndonëse përgjegjësinë për mosfunksionimin eventual të saj duhet dhe do ta mbajnë ata që e propozojnë”, saktëson në deklaratën e tij kryetari demokrat.

Në shkrimin e djeshëm, ambasadori amerikan theksonte se “ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur”. E njejta thirrje nga ardhur edhe nga përfaqësuesë të lartë të Bashkimit europian, të cilët gjithashtu kanë nënvizuar se “projekti i ndryshimeve kushtetuese respekton standartet ndërkombëtare”. Por anga ana e tij kryetari i opozitës shprehet se sipas tij, mesazhet ndërkombëtare janë për qeverinë. “Unë kam qenë dhe jam në komunikim intensiv, edhe këto ditë, me faktorët relevantë në Washington, Bruksel, Berlin, Paris, Romë dhe Londër. Qeverisë i kanë ardhur mesazhe të qarta që të harrojë shantazhin dhe trafikun e votave, të kërkojë e japë konsensus për një reformë sipas rekomandimeve të Venecias”.

Zgjidhja e ngërçit që mban të bllokuar Reformën në Drejtësi mendohet të jetë dhe arsyeja e ardhjes në Tiranë më 10 korrik e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland, e treta vizitë brenda harkut të një viti. Ndërsa para takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opoztës Lulzim Basha ajo pati dhe një telefonatë me këtë të fundit për të nxitur arritjen e një kompromisi duke saktësuar ndër të tjera se ralizimi i Reformës në Drejtësi, “mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG