Lidhje

Tirana dënon me forcë sulmet në Turqi


Autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit deklarata dhe mesazhe solidariteti pas atentateve terroriste në aeroportin e Stambollit

Në Shqipëri, autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit dënuan me ashpërsi sulmin e mbrëmshëm terrorist në aeroportin e Stambollit. Mesazhet e tyre të ngushëllimit i bashkoi ndjenja e solidaritetit me Turqinë, ndërsa u ritheksua se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e rreshtuar në luftën kundër terrorizmit:

Përmes deklaratave zyrtare apo dhe rrjeteve sociale, autoritetet dhe klasa politike në Shqipëri dënoi njëzëri sulmin e rëndë terrorist të ndodhur mbrëmë në Turqi, në aeroportin Kemal Ataturk të Stambollit. Kryeministri Edi Rama ishte ndër të parët, edhe për shkak se avioni me të cilin ai udhëtonte mbrëmë nga Tirana drejt Turqisë, ku ai nisi sot një vizitë zyrtare në Ankara, u ul në aeroport vetëm pak minuta pas atentatit. “Keqardhje e thellë për jetët e pafajshme të humbura në këtë tjetër akt barbar të atyre që s'kanë as Zot as shpresë dhe as vend mes njerëzve!”, shkroi pak pas ngjarjes zoti Rama.

Nga ana e tij presidenti Bujar Nishani ju drejtua me një mesazh ngushëllimi homologut të tij turk Taip Erdogan, ndërsa shprehej “shumë i tronditur dhe i revoltuar nga sulmet terroriste në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit”. Presidenti Nishani shtonte më tej se dënonte “me forcën më të madhe këto akte të urryera terroriste që përgjakën muajin e shenjtë të Ramazanit dhe synojnë të trembin e destabilizojnë Turqinë mike”, duke shprehur më pas solidaritetin e popullit shqiptar “në këto momente të vështira e kritike”, theksonte në mesazhin e tij presidenti Nishani.

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta ju drejtua gjitashtu homologut të tij turk duke shprehur “tronditje nga humbja e jetëve të pafajshme. Sulmi në Stamboll – shkruan më tej në mesazhin e tij zoti Meta - është goditje ndaj gjithë njerëzimit dhe ndaj vlerave që na bashkojnë. Shqipëria dhe populli shqiptar qëndrojnë përkrah jush gjatë këtij momenti të errët e të dhimbshëm”, shprehet zoti Meta duke konfimuar se Shqipëria mbetet “e palëkundur në angazhimin kundër terrorizmit”.

I njëjti angazhim dhe “vendosmëri për të qenë së bashku në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizimit të dhunshëm”, theksohet edhe në deklaratën e ministrisë së Jashtme shqiptare duke konfirmuar solidaritetin me Turqinë. Një solidaritet i nënvizuar dhe nga kryetari i opozitës Lulzim Basha sipas të cilit “sulmi terrorist në aeroportin e Stambollit që ka marrë dhjetëra jetë të pafajshme është një lajm i rëndë për çdo shqiptar”.

XS
SM
MD
LG