Lidhje

SHBA, transseksualët lejohen të shërbejnë hapur në ushtri


Military Transgender
Military Transgender

Pentagoni njoftoi se do të lejojë individët transeksualë, burra dhe gra, që të shërbejnë hapur në ushtrinë amerikane, duke shfuqizuar një prej masave ndaluese për shërbimin në forcat e armatosura.

Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter e njoftoi këtë vendim dje, në një konferencë shtypi në Pentagon. Ai tha se 100 për qind e popullsisë së Amerikës duhet të kenë mundësi të shërbejnë në ushtri.

"Janë tre arsyet e këtij vendimi: ato kanë të bëjnë me ushtrinë tonë në të ardhmen, atë aktuale dhe me çështje parimore. Arsyeja e parë dhe themelore është se Departamenti i Mbrojtjes dhe ushtria kanë nevojë për të gjithë talentin e mundshëm, me qëllim që të mbetet në nivelin që është - forca luftarake më e shkëlqyer që ka njohur ndonjëherë bota.”

Zoti Carter tha se misioni i ushtrisë është të mbrojë vendin dhe Pentagoni nuk dëshiron që pengesat, të cilat nuk lidhen me kualifikimin e personit ta pengojnë atë të kryejë shërbimin ushtarak.

Aaron Belkin, ekspert për personat LGBT në ushtri dhe drejtor i institutit studimor “Palm Center” me bazë në Kaliforni, e përshëndeti këtë vendim si historik.

"Ky vendim do të thotë se ne jemi një vend gjithpërfshirës dhe nuk i ndalojmë njerëzit për shkak të identitetit të tyre. Ne nuk i caktojmë njerëzit në vende pune për shkak të gjinisë së tyre, por u japim atyre mundësinë të shërbejnë në ushtri bazuar në aftësitë që kanë”.

Zoti Carter tha se aktualisht ka rreth 2 mijë e 500 individë transseksualë që janë ushtarakë aktivë.

“Jo më vonë se pas një viti, shtoi zoti Carter, ”ushtria do të fillojë të pranojë në radhët e saj amerikanë transseksualë, të cilët përmbushin të gjitha standartet mendore dhe fizike.”

Njoftim bëhet pas një studimi një vjeçar nga Korporata RAND, që arriti në përfundimin se lejimi i individëve transeksualë për të shërbyer hapur në ushtri do të kishte “ndikime minimale te gatishmëria ushtarake”.

XS
SM
MD
LG