Lidhje

Raste të reja refugjatësh drejt kufirit shqiptar


Policia kufitare shqiptare tha se bllokoi dhjetë shtetas të huaj në afërsi të Kapshticës të cilët synonin të hynin në territorin shqiptar nga Greqia.

Sipas policisë 5 emigrantë ishin sirianë dhe 5 irakianë. Policia tha se emigrantët janë riatdhesuar në Greqi pas praktikave identifikuese.

Një ditë më parë policia greke njoftoi arrestimin e pesë personave, të cilët u përpoqën të transportojnë ilegalisht drejt kufirit shqiptar 87 refugjatë, midis tyre 46 fëmijë, duke marrë 5 mijë dollarë për çdo person.

Policia greke tha se kishte zbuluar edhe një autobus me targa të huaja, të cilin e drejtonte shtetasi grek dhe me të cilin do të kryhej transporti drejt kufirit me Shqipërinë.

Katër personat e tjerë të arrestuar nga hetimet paraprake policore greke kishin marrë përsipër të sillnin emigrantët nga kampet ku ata ndodheshin, deri tek autobusi.

Në Veri të Greqisë ndodhen tre qendra strehimi për refugjatët me mbi 2000 njerëz, njëra prej të cilave në afërsi të Janinës.

Policia greke ka shtuar patrullimet në kufi për të parandaluar një fluks të mundshëm të refugjatëve.

Pjesa dërrmuese e sirianëve dhe refugjatëve nga vende të tjera hyjnë nga Greqia drejt Shqipërisë për një qëndrim tranzit në Shqipëri duke u përpjekur të udhëtojnë më tej drejt vendeve europiane kryesisht Gjermanisë.

Përmirësimi i motit dhe shtimi i qarkullimti turistik rrezikon sipas policive kufitare greke dhe shqiptare depërtimin e grupeve më të mëdha të refugjatëve në kufi.

XS
SM
MD
LG