Lidhje

Amerika dhe çertifikata e saj e lindjes

  • Ardita Dunellari

Sot mbushen 240 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që prej zbulimit të saj, Amerika është bërë sinonimi i tokës së premtuar për ata që dëshironin lirinë dhe suksesin. Termi “America”, u shfaq për herë të parë në një hartë gjermane të vitit 1507 që tashmë përbën një ndër reliket më të çmuara në katalogun kartografik të Bibliotekës së Kongresit amerikan.

Kuratori John Hessler fton vizitorët në pavionin e historisë para-koloniale në Bibliotekën e Kongresit, ku është vendosur harta e Waldseemullerit. Ky objekt unik ruhet në një stendë me xham të dyfishtë, të mbushur me gaz argon, ku nuk lejohen dritat e kamerave apo blici fotografik. Për vizitorët që duan të shohin më imtësisht hartën, Biblioteka e Kongresit ka ekspozuar edhe një kopje ekzakte:

“Kjo është Harta e Waldseemullerit e vitit 1507, një ndër hartat më të rëndësishme të krijuara në historinë e kartografisë. Biblioteka e Kongresit e bleu hartën, kryesisht për arsyen se është harta e parë që pagëzon Amerikën. Për këtë arsye është e rëndësishme, dhe është quajtur Certifikata e Lindjes së Amerikës, pasi është harta e parë që emërton kontinentin”.

Është hera e parë që termi “America” shfaqet në një formë të shkruar. Nuk dihet përse kartografi gjerman, Martin Waldseemuller zgjodhi të nderonte eksploruesin Amerigo Vespuçi dhe jo zbuluesin e kontinentit, Kristofor Kolombin me këtë emërtim. Kuratori Hessler ka teorinë e tij:

“Mënyra si unë preferoj ta analizoj është se Kolombi zbuloi Amerikën, por Vespuçi diti si ta shiste këtë zbulim. Vespuçi e reklamonte veten më shumë”.

Vespuçi kishte shkuar vetë në tokën e re dhe është i pari që e kuptoi gabimin e Kolombit, i cili ngulmonte se kishte gjetur një rrugë të re drejt Indisë, dhe jo një kontinent të ri.

“Waldseemuller kishte një ndihmës të quajtur Matthias Ringman, i cili shkonte shpesh në Firence. Amerigo Vespuçi ishte nga Firence. Vetë Mathias Ringman, para se të punonte për Waldseemullerin kishte përkthyer veprën e Vespuçit mbi udhëtimet e tij. Pra ai dinte shumë për Vespuçin dhe ka mundësi që këtë informacion kishte marrë edhe Waldseemuller”.

Pavarësisht se për ç’arsye kartografi Waldseemuller nderoi Vespuçin dhe jo Kolombin, emri ngjiti.

Përveç emërtimit të kontinentit, harta përmban enigma të tjera për pashpjegueshme për historianët e kartografisë. Waldseemuller i shton botës jo vetëm një kontinent të ri, por edhe Oqeanin Paqësor, vite para se Magelani të bënte udhëtimin rreth Amerikës së Jugut dhe të pagëzonte oqeanin e panjohur.

“Ai thjesht e tregon në hartë Paqësorin. Nuk i vë emër, por na lë të kuptojmë se ka diçka që e mbështjell këtë copë tokë. Gjeografi i lashtë grek, Ptolemeu, nuk e përfundoi ndonjëherë globin. Por Waldseemuller, në hartën e tij, na jep ndjesinë e tokës në formë sferike”.

Vështirë të imagjinohet se si një kartograf gjerman, në mes të maleve të Alsasës kishte kaq shumë informacion vetëm 15 vjet pas udhëtimit të Kolombit, në një kohë kur kontinenti i ri mbetej përgjithësisht i panjohur për evropianët dhe kolonizimi ishte ende në fillimet e tij. Si për t’i ngacmuar historianët, ai përfshin një hartë të vogël të Amerikës së Jugut që i përgjet shumë formës aktuale të kontinentit. Waldseemuller e kupton sa radikale është harta e tij krahasuar me mendimin e kohës dhe i kërkon publikut të ketë besim në informacionin që ofron, përmes një teksti të shkurtër në hartë:

“Është një pasazh i mrekullueshëm. Në latinisht ai thotë ‘nëse nuk jeni në dieni të zbulimeve të reja të Kolombit, Vespuçit, dhe shihni këtë hartë për herë të parë, mund të mbeteni të tronditur. Harta përfshin shumë gjëra që s’i keni parë përpara. Por nuk duhet të shqetësoheni, pasi kjo do të jetë forma e botës që do të mësoheni të shihni tani e tutje’”.

Për herë të parë, Harta e Waldseemullerit prezanton konfliktin mes njohurive të kohës dhe zbulimeve të reja që kishin përmbysur konceptet e mëparshme.

Historianët përpiqen t’i gjejnë përgjigje dilemës nëse Waldseemuller ishte thjesht me shumë fat kur përpiloi një hartë krejt të fantazuar, ose ndoshta kishte informata nga burime dhe detarë që nuk janë të njohur në ditët tona.

“Faktikisht nuk e dimë se si informacioni gjeografik transmetohej nëpër botë. Nuk e kemi të qartë se si përhapeshin hartat, se si njerëzit mësonin për zbulimet”.

E panjohura është ajo që i tërheq gjithmonë studiuesit. Në këtë aspekt, Harta e Waldseemullerit është një thesar ende i pazbuluar:

“Kjo hartë ka aq informacion sa të bësh studime serioze akademike, por jo informacion të mjaftueshëm sa të dalësh me konkluzione të prera. Si çdo dokument i vlefshëm historik, mund t’i rikthehesh vazhdimisht për studime të reja, dhe njerëzit do të vazhdojnë ta studiojnë për shekuj”.

Që nga zbulimi i saj në një kështjellë në Gjermani në 1901, Princi Wolfegg, pronari i kështjellës, është përpjekur t’ia shesë Bibliotekës së Kongresit këtë objekt të paçmueshëm. Dhe si me çdo objekt të paçmueshëm, edhe hartës iu gjet çmimi, por në fillim të shekullit XX, Biblioteka e Kongresit nuk arriti t’i grumbullonte fondet për shumën e kërkuar.

U deshën 100 vjet orvatje që më së fundi, në 2007, pasi kishte grumbulluar fonde nga donatorë privatë, Biblioteka e Kongresit e solli hartën në Shtetet e Bashkuara.

Akti nuk ishte thjesht një transaksion shit-blerjeje, pasi harta ishte pjesë e trashëgimisë kulturore të Gjermanisë. Shitja për një çmim prej 10 milionë dollarësh u finalizua me ardhjen e Kancelares gjermane Angela Merkel në Uashington, për t’i dorëzuar Bibliotekës së Kongresit hartën e lindjes së Amerikës në një gjest miqësie mes dy vendeve.

“Kur blejmë objekte të tilla, e bëjmë për disa qëllime: për katalogun e bibliotekës dhe për t’i prezantuar bashkë me koleksionet e tjera. Por i blejmë edhe për t’ia prezantuar botës. Askush nuk do ta kishte parë po të kishte mbetur në një kështjellë gjermane”.

Çdokush në çdo cep të botës mund ta shohë tani hartën përmes imazheve dixhitale të Bibliotekës së Kongresit. Në bazë të marrëveshjes me Gjermaninë, harta është në ekspozim të përhershëm në mjediset e bibliotekës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG