Lidhje

BE: Angazhimi për Ballkanin nuk është zbehur


Takimi i Parisit pas BREXIT, Hollande dhe Mogherini rikonfirmojnë mbështetjen ndaj perspektivës europiane të rajonit. Miratohen financimet për tre projekte të infrastrukturës në Shqipëri, Kosvë e Serbi. Nënshkruhet marrëveshja për Zyrën rajonale të Bashkëpunimit Rinor

I mbledhur në një kohë kur për Bashkimin europian dhimbjet e kokës për largimin e Britanisë së Madhe janë ende të forta, takimi i nivelit të lartë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, i treti në vazhdën e procesit të nisur në Berlin në 2014, rikonfimoi me fjalët e aktorëve kryesorë europian se angazhimi për këtë pjesë të Europës nuk është zbehur.

“A e ka ndryshuar perspektivën europiane që u është ofruar vendeve të Ballkanit , vullneti i popullit britanik i shprehur me referendum? Po procedura që do të nisë në vjeshtë mes BE-së dhe Britanisë së Madhe? Po paqartësitë që kanë lindur pas këtij rezultati? Ishte e rëndësishme që të rikonfimonim tepër qartësisht se vendimi Britanik nuk e ka vënë në dyshim angazhimet ndaj Ballkanit”, deklaroi në deklaratën e tij për shtyp në përfundim të takimit presidenti francez François Hollande. “Pse duhet të jemi kaq të qartë? Eshtë nga njëra anë mbajtja e fjalës së dhënë, por edhe për të rikujtuar atë çfarë është Europa”, tha ai duke nënvizuar se “Europa është paqja. Dhe vendet e Ballkanit na kujtojnë thelbin e vetë procesit europian. Ato kanë njohur shpërbërjen e Jugosllavisë, luftrat civile, nacionalizimin dhe ekstremizimin dhe ato e njohin vlerën e paqes”, u shpreh presidenti Hollande. Megjithatë ai saktësoi se rruga është gjithashtu e qartë për të gjithë sipas rregullave të përcaktuara më parë e që duhen respektuar nga vendet e Ballkanit. “Për të shkuar më tej drejt Europës, reformat janë të rëndësishme. Ky është kyshti për të vijuar me këtë perspektivë. Reformat për shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rregulla në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi rajonal”.

Në të njejtën linjë me të dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini. “Para së gjithash zgjedhja e qytetarëve britanikë nuk përfaqëson fundin e Bashkimit Europian. Përkundrazi, qytetarët e Ballkanit Perëndimor shohin te BE-ja një projekt të madh paqeje, zhvillimi ekonomik dhe mundësishë për të rinjtë. Dhe duke e parë BE-në me sytë e të rinjve të Ballkanit, na ndihmon të kuptojmë se çfarë është sot në rrezik, çfarë do të humbisnim nëse nuk do të rizgjonim projektin europian siç po bëjmë këto javë”, u shpreh ajo duke saktësuar se “mesazhi që kemi për miqtë tanë të Ballkanit është se BE-ja është aty, mbetet e fortë, mbetet fortësisht e interesuar për procesin e zgjerimit në Ballkan dhe punon çdo ditë me secilin vend për të menaxhuar flukset e emigracionit, ato të refugjatëve, parandalimin e terrorizmit, zhvillimin e rrjeteve të ndërlidhjes për ekonomitë tona, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, u shpreh zonja Mogherini.

Takimi i Parisit bëri një vlerësim të ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjitike). Në deklaratën përfundimtare të takimit theksohet se “projektet e investimeve të miratuara në Vjenë duhet të vihen në zbatim pa vonesa. Pjesmarrësit mirëpritën faktin se disa nga këto projekte mund të inaugurohen gjatë këtij viti”. Po ashtu, u miratuan dhe 3 projekte të reja, ndër të cilat njëri lidhet me Shqipërinë, me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat, 35 milionë euro do të jepen si grant nga WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor). Dy projektet e tjera lidhen me Serbinë, me modernizimin e hekurudhës Nis-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, përmes një granti 44 milionë eurosh, dhe me Kosovën, për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant 17 prej milion eurosh.

Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro. Po në fushën e energjisë, sipas Deklaratës përfundimtare, është prezantuar dhe “një nismë për rritjen e investimeve për efikasitetin e energjisë lidhur me ndërtesat e banimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, falë një financimi shtesë të BE-së prej 50 milion eurosh. Në këtë rast bëhet fjalë për një program i cili synon të identifikojë rrugët më të mira për zhvillimin e potencialit hidroenergjitik të rajonit”, ndërkohë që është rënë dakort për “një hartë rruge që do të çojë drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë”.

Një nga vendimet e takimit, i nënvizuar si “një hap i rëndësishëm për mbylljen e plagëve të së kaluarës” e i përshëndetur në mënyrë të veçantë dhe nga presidenti Hollande, ishte nënshkrimi nga vendet e rajonit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të të Shqipërisë dhe Serbisë, bazuar në modelin franko-gjerman të pas Luftës së dytë Botërore. Objektivi i Zyrës do të jetë “mbështeja e aktiviteteve që promovojnë ripajtimin mes popujve, si dhe të programeve mbi diversitetin, shkëmbimet ndërkulturore, pjesmarrjen qytetare dhe promovimin e velrave demokratike”. Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja.

XS
SM
MD
LG