Lidhje

Francë, thirrje për reformimin e organeve të zbulimit


Një raport i një komisioni parlamentar francez, që ka kryer hetime mbi sulmet terroriste të vitit të kaluar në Paris, bën thirrje për krijimin e një agjencie të vetme kombëtare të anti-terrorizmit. Reformimi i shërbimeve të zbulimit është një nga dhjetëra rekomandimet e bëra nga komisioni në raportin e publikuar sot.

Ligjvënësit francezë thanë sot se një hetim parlamentar gjeti dështime të shumta të agjencive të zbulimit para sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Paris, në të cilat u vranë 147 persona.

"Ne jemi të kënaqur me këtë rezultat, rrjedhojë e punës intensive të bërë që nga muaji shkurt."

Ligjvënësi konservator, Georges Fenech, i cili kryesoi komisionin hetimor, tha se autoritetet kishin njohuri për të gjithë personat e përfshirë në sulmet e vitit 2015. Disa prej tyre kishin dënime të kaluara ose ishin nën mbikqyrje gjyqësore.

Ndërsa, ligjvënësi i Partisë Socialiste në pushtet, Sebastien Pietrasanta përmendi disa nga gjetjet e raportit mbi dështimet e agjencive të zbulimit në parandalimin e sulmeve.

"Ne nxorrëm disa përfundime: monitorimi i vëllezërve Kouachi (Cherif Kouachi dhe Said Kouachi), ashtu si monitorimi i Larossi Abdallah-ut kohët e fundit, tregon se nganjëherë në rastet kur përgjimet e sigurisë nuk prodhojnë asgjë, mund të jetë një shenjë se ata mund të kenë kaluar në veprime klandestine. Rasti i Amedy Coulibaly-it zbulon të metat e administratës së burgjeve. Edhe pse ai ishte i njohur për radikalizimin e tij, ai u dënua për një përpjekje për të nxjerrë nga burgu një nga autorët e sulmeve të vitit 1995; ai u lirua nga burgu pa u monitoruar më pas nga shërbimet e zbulimit. Dhe asnjë informacion mbi rastin e tij nuk u nda nga administrata e burgjeve. Edhe rasti i Samy Amimourit zbulon të metat e sistemit të kontrollit gjyqësor për terroristët. Ne nuk e kuptojmë pse monitorimi i tij u ndal pasi ai u mor në pyetje dhe pse gjykata nuk e vazhdoi kërkesën për vazhdimin e monitorimit të tij."

Ligjvënësi Georges Fenech tha se agjencitë e kundër zbulimit që janë pyetur gjatë hetimit, i kanë pranuar dështimet. Ai rekomandoi krijimin e një agjencie kombëtare kundër terrorizmit të ngjashme me Agjencinë e sigurisë Kombëtare të krijuar në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit.

Ligjvënësit gjithashtu rekomanduan bashkëpunim më të mirë mes agjencive evropiane të zbulimit.

Në sulmet e vitit 2015, terroristët vunë në shënjestër një dyqan hebre ushqimesh, gazetën Charlie Hebdo, sallën e koncerteve Bataclan, stadiumin kombëtar dhe disa restorante në Paris.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG