Lidhje

Pas Brexit, referendum në Hungari më 2 tetor

  • Luis Ramirez

Tronditjet që shkaktoi vota e Britanisë për daljen nga Bashkimi Evropian po ndihen edhe në Evropën Lindore, ku përfaqësues të lëvizjeve nacionaliste thonë se vendimi i britanikëve po i frymëzon t’u rezistojnë politikave të BE-së. Në Hungari, Bashkimi Evropian përballet me një tjetër problem: më 2 tetor atje pritet të zhvillohet referendumi për të pranuar apo jo planin e kuotave, të propozuar nga Kancelarja Angela Merkel, që u imponon vendeve të BE-së një numër të caktuar refugjatësh.

Skena të ngjashme me pamjet nga ky kamp 40 km larg Budapestit po ushqejnë debatin për referendumin. Azil-kërkues të rinj mbërrijnë çdo ditë.

“Përse nuk lejohemi të vijmë në Evropë? A nuk jemi edhe ne qenie njerëzore si ju? A nuk kemi edhe ne dëshira dhe të drejta si fëmijët tuaj,” pyet Mano, një refugjat afgan.

Por në sytë e banorëve të zonës përreth kampit, refugjatët janë burim kërcënimi. Mbështetja për referendumin në zonë është e lartë:

“Më duket se nuk duan të asimilohen e të sillen si ne. Nuk e përfillin kulturën tonë. I kuptoj shumë mirë britanikët,” thotë banori Attila Szigeti.

Attila thotë se nuk është racist. Ai thotë se filloi të rruante kokën si neonazistët, pasi pa refugjatë para banesës.

“Me këtë pamje që kam, nuk kam përse trembem, pasi më mendojnë si njeri të rrezikshëm”.

Qeveria e kryeministrit Viktor Orban po shpenzon miliona dollarë për reklama. Referendumi do t’i pyesë votuesit nëse mbështesin rregullat e BE-së për të pranuar një numër të detyruar shtetasish të huaj, pa miratimin e parlamentit hungarez.

Ndërkohë që në popullatë është përhapur frika nga të huajt, analistët parashikojnë një fitore të lehtë për fraksionin anti-imigracion.

“Ai e ka portretizuar Brukselin si armik të kombit hungarez. Ai ka thënë se në 1848-’49 i bëmë rezistencë Vjenës, në 1956 u ngritëm kundër Moskës dhe tani do të ngrihemi kundër Brukselit,” thotë analisti Nick Sitter.

Partia opozitare e ekstremit të djathtë, JOBBIK, që gëzon mbështetje nga Rusia, e sheh referendumin britanik si mbështetje për kauzën anti-BE në Hungari.

“Kur njerëzit të shkojnë tek kutitë e votimit, do të hedhin një votë të qartë kundër Brukselit dhe politikave të BE-së lidhur me imigracionin,” thotë Morton Gyongyosi i Partisë Jobbik.

Në përgatitje për referendumin, Budapesti është mbushur me pankarta dhe simbole që kujtojnë luftrat kundër fuqive të huaja gjatë shekullit të kaluar, që nga nazistët e deri tek sovjetikët.

Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, hija e dominimit të huaj mbetet e gjallë në mendjet e shumë hungarezëve. Ndodh shpesh që të dëgjosh në Budapest njerëz që i referohen Brukselit si “Moska e re”.

Referendumi i Hungarisë do të hedhë në votë politikat e BE-së për imigracionin. Ekstremi i djathtë thotë se pas tij mund të vijë vota për largim nga blloku.

XS
SM
MD
LG