Lidhje

Studim mbi vdekjet nga gabimet mjekësore


Njerëzit u befasuan kur një studim i ri njoftoi se një numër i madh njerëzish vdesin për shkak të gabimeve të bëra nga mjekët apo infermierët. Studimi tregon se gabimet mjekësore janë një nga vrasësit më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara, dhe ka shanse që ato të jenë një nga vrasësit më të mëdhenj edhe në nivel global.

"Nëse gabimet mjekësore do të trajtoheshin si një sëmundje, ajo do të ishte vrasësi tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara".

Një deklaratë shokuese nga Marty Makary, autori i studimit të fundit mbi vdekjet e shkaktuara nga gabimet mjekësore. Askush nuk e di se sa njerëz në fakt vdesin për shkak të gabimeve. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë përdorin kode për të përcaktuar shkaqet e vdekjes parimore.

Pa një kod për gabimet mjekësore, zoti Makary thotë se problemi nuk mund të studiohet apo të korrigjohet. Ai thotë se kjo është e vetmja zonë e mjekësisë që nuk është e dokumentuar.

"Kur unë i bëjë kontroll mjekësor një pacienti me kancer, unë duhet të dokumentoj moshën e pacientit, fazën dhe llojin e kancerit që ka. Kjo pastaj shkon në Regjistrin tonë Kombëtar, dhe çdo vit ne publikojmë statistikat tona kombëtare mbi kancerin, një investim miliona dollarësh, ku të gjitha llojet e kancerit publikohen në një raport kompleks. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për gabimet mjekësore".

Gabimet mund të bëhen kur ka shumë pak infermierë, mungesë të trajnimit të duhur dhe situata të tjera të rrezikshme.

"Sipas shumë mjekëve, procedura më e rrezikshme në një dhomë të urgjencës sot, është dorëzimi i pacientit nga një punonjës shëndetësor tek tjetri".

Kjo ndodh gjatë ndryshimit të turneve të stafit mjekësor, ose atëherë kur pacientët dërgohen në një procedurë pa informacionin e duhur mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Dr. Makary thotë se gabimet nuk mund të eliminohen krejtësisht, por ato mund të reduktohen në masë të madhe.

"Nuk mund ta vlerësojmë këtë problem pa dokumentuar me saktësi rolin e gabimeve mjekësore".

Kjo kërkon një ndryshim në sistem, në mënyrë që punonjësit e shëndetësisë të mund të gjejnë pikat e dobëta dhe të punojnë për t’i eliminuar ato.

XS
SM
MD
LG