Lidhje

PD tërhiqet nga vendet e rezervuara


Reforma në Drejtësi, Basha: Që prej 24 Qershorit kemi ofruar një formulë të re kompromisi. Shumica po hesht. Nuk kemi përgjigje

Në Shqipëri opozita është tërhequr nga variant i vendeve të rezervuara për emërimet nga ana e parlamentit të disa anëtarëve të institucioneve të drejtësisë. Sot kryetari demokrat Lulzim Basha deklaroi se që prej 24 qershorit të shkuar i kanë propozuar shumicës një formulë të re kompromisi. Zoti Basha akuzoi qeverinë se ka heshtur ndaj këtij propozimi

Ndërsa ditët për miratimin e Reformës në Drejtësi po shkurtohen, përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje duket se nuk kanë rreshtur. Për një kohë të gjatë debati është mbërthyer të formula e emërimeve nga ana e parlamentit të anëtarëve të disa institucioneve të Drejtësisë. Nga njëra anë shumica me propozimin për një votim me dy të tretat, dhe opozita nga ana tjetër me variantin e “vendeve të rezervuara”, një ndarje proporcionale e emërimeve sipas blloqeve politike. Një formulë të tillë, e cila sipas opozitës, është në respekt të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, shumica e ka refuzuar kategorikisht, për shkak të ndikimit politik të procesit.

Por sot kryetari demokrat Lulzim Basha, bëri të ditur se “opozita prej 17 ditësh, prej datës 24 qershor i ka ofruar maxhorancës përmes një formule në përputhje të plotë me rekomandimin 88, rrugën e daljes, kompromisin për të miratuar Reformën në Drejtësi”.

Zoti Basha tha se opozita nuk e kishte bërë publik këtë fakt për t’i lënë hapësirë bisedimeve mes palëve, por sipas tij “jrej 17 ditësh Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste jo vetëm që refuzojnë kompromisin e ofruar nga opozita, por po kështu refuzojnë të paraqesin me shkrim apo me gojë argumentet se përse kjo zgjidhje në pikëpamjet e tyre është e papranueshme”.

Pak ditë më parë kryetari socialist I komisionit të posacëm parlamentar Fatmir Xhafaj, pati deklaruar se dhe shumica ka një propozim të ri. Por zoti Basha tha sot se “nuk është propozim i ri, është propozim i rrëzuar nga opozita në 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar. Sepse është një metodë me potencial të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet dhe për proceset për të cilat propozohet”.

Reforma në Drejtësi pritet të jetë në qendër të vizitës së parashikuar për të dielën të Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland, e treta vizitë brenda harkut të një viti. Zonja Nuland, e cila do të takojë dy aktorët kryesorë përgjegjë për reformën kryeministrin Rama dhe drejtuesin e opozitës Basha, ka deklaruar më herët se realizimi i Reformës në Drejtësi, “mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG