Lidhje

Drejtori i FBI-së, dëshmon të enjten në Kongres


Disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve janë gati t’i bëjnë pyetje të vështira drejtorit të FBI-së James Comey të enjten. Republikanët e zemëruar duan ta pyesin atë lidhur me komentet e bëra të martën, ku ai tha se nuk do të rekomandon ngritjen e akuzave kriminale kundër kandidates së pritshme demokrate presidenciale Hillary Clinton lidhur me përdorimin prej saj të një serveri privat kur ishte Sekretare e Shtetit.

Comey është thirrur për të dëshmuar para Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reformat Qeveritare në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch është planifikuar të dëshmojë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë javën e ardhshme.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan tha të mërkurën se zonja Clinton po trajtohet ndoshta në mënyrë preferenciale nga FBI-ja lidhur me hetimin. "Kështu më duket mua”, tha ai në Fox News.

Zoti Ryan tha se publiku duhet ta dijë se “përse dhe si” zoti Comey arriti atë përfundim. "Ajo që më shqetëson rreth kësaj çështjeje është se familja Clinton jeton mbi ligjin. Ata gjykohen mbi standarte të ndryshme”, shtoi zoti Ryan. "Dhe kjo është arsyeja se përse do të organizojmë këto seanca dëgjimore. Kjo është arsyeja se përse mendoj që Comey duhet të na e japë të gjithë informacionin publikisht."

Kryetari i Dhomës shtroi gjithashtu pyetje nëse duhet apo jo që zonja Clinton të marrë informacione sekrete si kandidate presidenciale, duke patur parasysh komentet e FBI-së për mënyrën se si ajo i trajton materialet sekrete.

Edhe Jason Chaffetz, kryetari republikan i Komisionit të Reformave, ka shtruar pikëpyetje për vendimin e FBI-së.

"Rekomandimi i FBI-së është i çuditshëm dhe konfuz" tha Chaffetz. "Modeli i fakteve të paraqitura nga drejtori Comey e bëjnë të qartë se sekretarja Clinton shkeli ligjin. Individë që qëllimisht anashkalojnë ligjin duhet të mbahen përgjegjës."

Rekomandimi i FBI-së të martën heq një barrë të madhe politike dhe ligjore për kandidaturën e zonjës Clinton.

Në njoftimin e vendimit të tij, Comey qortoi ashpër zonjën Clinton, e cila shërbeu si diplomatja më e lartë e vendit nga viti 2009 deri në 2013, dhe kolegët e saj në Departamentin e Shtetit për atë që ai tha se ishte një trajtim “jashtëzakonisht i pakujdesshëm” i materialeve sekrete që kishin shkëmbyer me email në serverin privat që ajo kishte vendosur në shtëpinë e saj në Nju Jork.

Zoti Comey, megjithatë tha se hetuesit e FBI-së, në një hetim të hollësishëm të mijëra imeilave të zonjës Clinton, nuk gjetën prova se ajo “qartësisht dhe me dëshirë” kishte kërkuar të shkelte ligjet amerikane dhe se “asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të ngrinte akuza” kundër saj mbi bazën e provave të gjetura në hetimin disa javor.

Hetimi i FBI-së për përdorimin e serverit të saj privat në vend të serverave qeveritarë me kontroll të rreptë sigurie, kulmoi të shtunën e kaluar me marrjen në pyetje të zonjës Clinton nga hetuesit dhe prokurorët qeveritarë. Takimi në selinë e FBI-së në Uashington zgjati 3 orë e gjysmë.

XS
SM
MD
LG