Lidhje

Lu: Deputetë, votoni Reformën në Drejtësi


Ambasadori amerikan letër anëtarëve të parlamentit: Reforma përmbush standartet. Ja pse SHBA dhe BE është kundër vendeve të rezervuara. Bylykbashi i PD: Vendet e rezervuara na u propozuan nga Opdat dhe Euralius. Tani kemi hequr dorë

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu i është drejtuar me një letër deputetëve të parlamentit, duke mbështetur Reformën në Drejtësi e cila siç thekson ai përmbush plotësist standartet e Komisionit të Venecias e standartet europiane. Duke nxitur gjetjen e një kompromisi mes palëve, për formulën lidhur me emërimet nga ana e parlamentit të disa prej institucioneve të sistemit të Drejtësisë, ambasadori amerikan fton deputetët të votojnë pro Reformës, edhe nëse nuk do të arrihet ky kompromis. Në letrën e tij, ambasadori Lu shpjegon se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë kundër formulës së “vendeve të rezervuara” të mbështetur deri tani nga opozita.

Amb. Lu, letër deputetëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:17 0:00

Letrën e tij ambasadori Lu e nis duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aleati juaj strategjik në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare. Sot, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë tuaj dhe dobësojnë aleancën tonë”, nënvizon ambasadori Lu duke theksuar më pas se “si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurtë”.

Duke folur për proçesin e gjatë të Reformës në Drejtësi dhe përgëzuar punën e bërë nga Komisioni i posaçëm parlamentar, si nga anëtarët e shumicës dhe të opozitës, ambasadori shkruan se projekti aktual “është më i mirë, më legjitim dhe i pranuar më gjerësisht sesa projekti fillestar i ekspertëve paraqitur në muajin shtator. Ky mbështetet si nga qeveria ashtu dhe nga opozita me përjashtim të një çështjeje, kërkesës së opozitës për vendet e rezervuara”, thekson ambasadori amerikan duke nënvizuar se “më e rëndësishmja, projekti i 14 Qershorit I Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, përmbush plotësisht standartet e Komisionit të Venecias dhe standartet europiane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e kanë mbështetur këtë projekt”, nënvizon ambasadori Lu.

Në letrën e tij ai ndalet veçanërisht në shqetësimet e ngritura nga opozita për paragrafin 88 të Opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ai sugjeron që përveç paragrafit 88 të shqyrtohet me vëmendje dhe paragrafi 61. “Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakort për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave për përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara”, vëren ambasadori amerikan, ndërsa shton se “ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshirë votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve proporcionale do të ishte tërësisht në përputhje me Komisionin e Venecias”.

Ambasadori amerikan vë në dukje se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do t’i etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të verifikimit (vetingut) ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Verifikimi ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor, duke larguar manipulimet politike. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim”.

Por në një prononcim për mediat sot përfaqësuesi demokrat në Komisionin e Reformës Oerd Bylkbashi ju përgjigj drejtpërdrejtë ambasadorit amerikan kur deklaroi se formula e vendeve të rezervuara është bërë “nga OPDAT dhe Euralius dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur nga Partia Demokratike në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias”.

Zoti Bylykbashi shpjegoi, ashtu siç njoftoi që dje dhe kryetari demokrat Lulzim Basha, se demokratët janë tërhequr nga varianti i vendeve të rezervuara dhe se prej dy javësh kanë ofruar një propozim të ri i cili sipas tij parashikon që “në procesin e vetingut dhe në përzgjedhjen e komisionerëve që do bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurororëve, partitë politike nuk do kenë asnjë rol, as në ardhjen e kandidaturave dhe as në filtrimin e kandidaturave që përputhen me kriteret kushtetuese dhe ligjore. Në këtë proces, partitë politike, qoftë në maxhorancë apo qoftë në opozitë, nuk duhet të kenë rol dhe propozimi i PD përcakton ekzaktësisht këtë”.

Edhe socialistët kanë deklaruar se kanë një propozim të ri që sipas tyre “zgjidh shqetësimin e opozitës”, por dje zoti Basha deklaroi se propozimi i socialistëve “nuk është i ri, është propozim i rrëzuar nga opozita në 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar. Sepse është një metodë me potencial të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet dhe për proceset për të cilat propozohet”. Ndërsa sot në mbrëmje kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, po ashtu vlerëson se dhe propozimi i demokratëve “nuk ka asgjë të re”. Sipas tij “në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara(!) dhe jo vetëm kaq, po ky propozim anashkalon krejtësisht mekanizmin e monitoruesve ndërkombëtarë që për ne është kyç në procesin e skanimit. Por jo vetëm për ne, po edhe për BE e SHBA po ashtu”.

Palët duken sërish larg së pranuari ofertat e njëri tjetrit. Në letrën e tij drejtuar deputetëve, ambasadori amerikan shpjegon se “ka ende kohë që udhëheqësit politik të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu dhe shumica. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin e kompromisit. Megjithatë – thekson ai – nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakort për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni Reformën”, shkruan ambasadori amerikan duke kujtuar se “paragrafi 87 i raportit të Komisionit të Venecias thotë se projekti i tanishëm i Reformës është një propozim koherent dhe i shëndoshë dhe se është në përputhej me standartet europiane”. Ambasadori amerikan e mbyll letrën e tij sërish me thirrjen drejtuar deputetëve shqiptarë që “më 21 Korrik të votoni pro Reformës në Drejtësi”.

Letra e ambasadorit Lu vjen pak ditë përpara vizitës në Tiranë, të dielën pasdite të Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland, e treta brenda harkut të një viti. Reforma në Drejtësi pritet të jetë në qendër të takimeve të saj me dy aktorët kryesorë përgjegjës për reformën, kryeministrin Rama dhe drejtuesin e opozitës Basha. Zonja Nuland ka deklaruar më herët se realizimi i Reformës në Drejtësi, “mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”.

XS
SM
MD
LG