Lidhje

Nuland: Propozim i ri për Reformën


Pas takimeve në Tiranë me kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Basha, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit njoftoi se “varianti i ri ka marrë ide nga qeveria, nga opozita dhe është tërësisht në përputhje me propozimin e Komisionit të Venecias. Drafti drejt përfundimit”

Në Tiranë Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland njoftoi sot në mbrëmje se qeverisë dhe opozitës u është paraqitur një propozim i ri kompromisi për Reformën në Drejtësi nga ambasadori amerikan Donald Lu dhe homologia e tij e BE-së Romana Vlahutin. Propozimi, siç njoftoi ajo, është “një variant hibrid që ka marrë ide nga qeveria, nga opozita dhe është tërësisht në përputhje me propozimin e Komisionit të Venecias”, shpjegoi zonja Nuland duke shpjeguar se “drafti është thuajse drejt përfundimit”

Duket se pritshmëria lidhur me vizitën e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Victoria Nuland për kapërcimin e ngërçit lidhur me formulën e emërimit nga parlamenti të disa anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë ka qenë e justifikuar. Në përfundim të takimeve të saj, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit njoftoi në mbrëmje se “negociatorët nga të dyja palët kanë punuar tejet fort dhe drafti është thuajse drejt përfundimit tani. SHBA-të së bashku me BE-në janë krenare që kanë patur mundësinë të lehtësojnë proçesin e negociatave, që ta ndihmojnë atë dhe jemi shumë krenarë për punën që ambasadori Donald Lu dhe ambasada kanë bërë këtu”, deklaroi zonja Nuland.

Ajo shpjegoi më tej se “në një përpjekje, në mënyrë që të ndihmojnë palët, që të mund të mbyllin atë hapësirë bosh, ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE-së kanë patur mundësinë që të realizojnë një propozim të ri që është në diskutim. Ky është një propozim hibrid që ka marrë ide nga qeveria, nga opozita dhe është tërësisht në përputhje me propozimin e Komisionit të Venecias”, nënvizoi zyrtarja e lartë amerikane duke saktësuar se “ky propozim ka mbështetjen time, por gjëja më e rëndësishme ka mbështetjen e gjerë nga Uashingtoni dhe lidershipi ynë”.

Zonja Nuland tha se ka diskutuar “me hollësi” propozimin “në takimin tim me kryeministrin dhe kreun e opozitës. I kam nxitur që të dy në emër të Uashingtonit dhe kolegëve të BE, që të bashkohen rreth asaj që është propozuar, sepse ka ardhur koha të arrihet në një marrëveshje. Populli shqiptar është duke pritur”. Ajo shtoi se ka parë te të dy drejtuesit e lartë politik shqiptarë “një dëshirë për të arritur në një marrëveshje. Nuk është një sekret që politika është diçka e ashpër në këtë vend. Por gjithashtu kam ndjerë se që të dy e dinë se është koha për lidership”. Zyrtarja amerikane nuk dha detaje lidhur me propozimin për pikën që ka ndarë palët, e veçanërisht për rolin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në procesin e verfikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Mendoj që është e rëndësishme që t’u japim negociatorëve hapësirë që të mund ta shqyrtojnë. Ky propozim bazohet në të dëgjuarit shumë të mirë aktiv që ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE-së kanë bërë, dhe përpiqet të kombinojë një përpjekje të duhur të monitorimit ndërkombëtar duke ruajtur dhe sovranitetin e Shqipërisë”, shpjegoi zonja Nuland.

Në deklaratën e saj zyrtarja e lartë ritheksoi rëndësinë e Reformës në Drejtësi. “Ajo është tejet jetike për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Do të japë një kontribut të rëndësishëm për dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe do të sigurojë që Shqipëria të ketë një sistem drejtësie që vërtetë do të punojë për popullin e këtij vendi. Është gjithashtu një hap tjetër thelbësor që Shqipëria duhet të ndërmarrë drejt bisedimeve për anëtarësim në BE”, saktësoi zonja Nuland.

Si kryeministri Edi Rama, ashtu dhe kryetari i opozitës Basha, në deklarimet mbi takimin me zonjën Nuland, nuk folën për propozimin e ri. Në njoftimin e qeverisë theksohej se “kryeministri Rama rinënvizoi qëndrimin e tij se shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cënon thelbin e reformës dhe njëkohësisht, vlerësohet nga partnerët tanë strategjike, si në përputhje të plotë me objektivin e përbashkët për një drejtësi të denjë për një vend anëtar të Bashkimit Europian”. Më vonë, përmes një postimi në Twitter, zoti Rama shkroi se me zonjën Nuland ka patur "Dakortësi të plotë qëndrimesh". Ndërsa zoti Basha pranoi se ishte diskutuar dhe për propozime të reja por pa u shtyrë më në hollësi. “Diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera. Padyshim këto propozime do të jenë pjesë sa na përket ne e rrugëzgjidhjes. Ajo që mbetet për tu konfirmuar është vullneti i palës tjetër”, deklaroi për gazetarët zoti Basha pas bisedës me zyrtaren e lartë amerikane.

XS
SM
MD
LG