Lidhje

Grabitet një bankë në qendër të Vlorës


Filiali i një banke në Vlorë është grabitur sot në mesditë nga 2 persona të armatosur me pistoleta, të veshur me rroba ushtarake dhe me kapele me strehë. Burime policore nga Vlora kanë pohuar incidentin.

Burimet paraprake nga administrate e Bankës flasin se autorët kanë hyrë në mjediset e bankës në mënyrë të befasishme nga ana e pasme e godinës. Ata kanë arritur të marrin paratë në dy sportele shërbimi dhe më pas janë larguar në rrugët dytësore të lagjes në qendër të qytetit. Burimet policore kanë pohuar se njëri nga grabitësit ka vijuar ndërhyrjen në sportele ndërsa grabitësi tjetër ka dalë në hyrje të bankës.

Ende nuk ka të dhëna për shumën e grabitur por vlerësohet se ajo përfshin xhiron ditore të bankës. Policia thotë se është vënë në ndjekje të autorëve duke ngritur pika të shumta kontrolli në qytet dhe në dalje të tij.

Filiali i bankës ndodhet në qendër të Vlorës në Sheshin e Flamurit, një zonë mjaft e kontrolluar e qytetit. Një tjetër grabitje është shënuar disa vite më parë po në këtë bankë. Vlora njihet si një nga qytetet me më shumë incidente, pas Tiranës, për sa i përket grabitjes së bankave dhe agjensive finaciare.

Grabitja e Bankës në Vlorë vjen në një kohë kur në Shqipëri janë nxitur debate të forta për sigurinë e transportimit të parave nga bankat dhe agjensitë financiare. Pak ditë më parë një grabitje transfertash financiare të një banke ndodhi në Aeroportin e Rinasit duke shkaktuar polemika të forta edhe për kushtet e sigurisë së Aeroportit të vetëm në vend.

Futja e një autoveture nga një portë e pakontrolluar me kamera në Aeroport grabitja e një shume të madhe fianciare në një makinë banke në pistë tek transportonte paratë drejt një avioni për ti dërguar jashtë vendit kishte ndodhur vetëm për disa minuta. Ende nuk ka një të dhënë zyrtare mbi shumën e grabitur dhe asnjë nga autorët nuk është vënë në pranga.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG