Lidhje

Pas incidenteve në Dallas, përpjekje për dialog kombëtar


People, including a man wearing a confederate flag, hug after taking part in a prayer circle after a Black Lives Matter protest following the multiple police shootings in Dallas, Texas, U.S., July 10, 2016.

People, including a man wearing a confederate flag, hug after taking part in a prayer circle after a Black Lives Matter protest following the multiple police shootings in Dallas, Texas, U.S., July 10, 2016.

Presidenti Barak Obama dënoi përdorimin e dhunës si mjet për të sjellë ndryshime, pas incidentit që la të vrarë pesë policë në Dallas. Tensionet mes komuniteteve pakicë dhe forcave të rendit nuk janë një fenomen i ri, por vrasja e policëve të enjten e kaluar ka tronditur vendin dhe ka vështirësuar dialogun për sigurinë publike në Amerikë:

Ankthi dhe trishtimi ndihen kudo në Dallas, ndërkohë që në Minesota dhe Luiziana ziejnë ndjenjat e revoltës pas vrasjes së dy afrikano-amerikanëve nga policia. Presidenti Obama komentoi nga Spanja:

“Çdo akt dhune ndaj policëve është një krim i shëmtuar që duhet ndjekur penalisht”.

Hetimet fillestare tregojnë se autori i sulmit në Dallas mund të ketë pasur plane për sulme në shkallë më të gjerë kundër policëve, si shpagim për atë që shihet nga disa amerikanë si dhunë e tepruar ndaj pakicave racore. Zyrtarët thonë se hakmarrjet individuale nuk do të tolerohen:

“Dhuna nuk është kurrë përgjigja. Një sy për një sy bën që të gjithë të mbesim të verbër. Ka ardhur koha të shërojmë plagët, të nderojmë viktimat dhe të ndërtojmë ura lidhëse e dialog,” tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Jeh Johnson.

Ngjarjet e rënda të javës së kaluar ndikuan edhe tek toni i fushatës presidenciale.

“Një sulm brutal kundër forcave policore është sulm kundër vendit dhe kundër familjeve tona. Duhet të solidarizohemi me forcat e rendit, të mos harrojmë se këto forca janë barriera mes qytetërimit dhe kaosit total,” tha kandidati republikan për president Donald Trump.

“Nuk mund dhe nuk duhet ta bëjmë fajtore gjithë policinë. Amerikanët e bardhë duhet të përpiqen më shumë për të dëgjuar shqetësimet e afrikano-amerikanëve, të flasin për pengesat konkrete dhe të padukshme që ata hasin çdo ditë,” tha kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Presidenti vetë ka një propozim se si mund të funksionojë më mirë ky dialog:

“Do t’u thoja të gjithë atyre që shprehin shqetësim për incidentet kur policët vrasin në rrethana të dyshimta, ose për paragjykime racore në sistemin e drejtësisë se një komunikim i sinqertë, serioz dhe me respekt do ta mobilizojë shoqërinë amerikane dhe do të sjellë ndryshime reale. Ky është synimi ynë përfundimtar”.

Për momentin, në Dallas dhe qytete të tjera vazhdojnë të ziejnë tensionet.

XS
SM
MD
LG