Lidhje

SHBA: Fundjavë e tensionuar me protesta


A softball team hugs after paying their respects at a makeshift memorial at Dallas Police Headquarters following the multiple police shootings in Dallas, Texas, U.S., July 9, 2016.

A softball team hugs after paying their respects at a makeshift memorial at Dallas Police Headquarters following the multiple police shootings in Dallas, Texas, U.S., July 9, 2016.

Shtetet e Bashkuara e fillojnë këtë javë pasi lanë pas një javë të vështirë e të dhunshm, gjatë së cilës dy afrikano-amerikanë në Luiziana dhe Minesota u vranë, kur policët hapën zjarr ndaj tyre dhe pas vrasjes së pesë policëve në Dallas të Teksasit në një demonstratë paqësore kundër dhunës policore.

Protestat kundër taktikave të policisë vazhduan për të tretën ditë me radhë dje, dhe vazhduan edhe natën, pas vrasjes javën e kaluar të 37 vjeçarit Alton Sterlingut në Baton Rouge të Luizianës dhe Philando Castile në Minesota.

Mbi 1 mijë demonstrues morën pjesë në një tubim i lëvizjes “Black Lives Matter” në Memfis të Tenesisë dhe bllokuan një urë mbi lumin Misisipi, duke frenuar përkohësisht trafikun.

Demonstruesit u shpërndanë pas afro katër orësh.

Sipas njoftimeve Drejtori i përkohshëm i policisë Mike Rallings dhe disa policë të tjerë, kishin marshuar me protestuesit në qendër të Memfisit dhe kishte folur me ta. Më pas Rallings foli për gazetarët:

“Ne thjesht duam paqe në qytet. Ka ardhur koha që të gjithë të kthehen në shtëpi. Nesër do të jemi këtu përsëri që herët për të folur. Nuk mendoj se e kanë dëgjuar se çfarë po themi, kështuqë do t’ua them unë”.

Në Baton Rouge, autoritetet thonë se 30-40 vetë u arrestuan natën e djeshme në një protestë kundër vrasjes së Sterling. Ata ishin pjesë e një grupi prej 100 deri 200 vetësh që shkuan drejt një rruge qendrore deri kur policia i ktheu ku ishin po pa ndërhyrë,

Më pas mbërritën oficerë me uniforma të ndërhyrjes së shpejtë duke paralajmëruar se do të kishte më shumë arrestime nëse nuk largoheshin. Ata pastaj filluan arrestimet. Një banore lokale, Lisa Batiste, i lejoi protetsuesit të hynin në oborrin e shtëpisë së saj.

“U thamë të hynin brenda për siguri. Unë kam miq në anën tjetër të rrugës që janë police të mire dhe të zot. Por këta njerëz kanë nevojë për strehë dhe unë ua dhashë. Do të doja të gjendej një rrugë për dialog pozitiv për t’i ndryshuar gjerat”.

Protesta ka pasur edhe në qytete të tjera dhe tre vende kanë paralajmëruar qytetarët e tyre të kenë kujdes kur vizitojnë qytetet amerikane të tronditura nga protestat.

Të martën në Baton Rouge të Luizianës, pamjet e regjistruara me celular tregonin vrasjen e Sterling ndërsa mbahej nga dy policë. Ai ishte i armatosur por në video duket se atij i merret arma nga xhepi para se të hapej zjarr dhe ai të vdiste.

Të mërkurën në mbrëmje në një rrethinë në St. Paul të Minesotës, e fejuara e Philando Castile arriti të regjistronte drejtpërdrejt në faqen e saj të Facebook-ut, incidentin mennjëherë pasi një oficer policie e qëlloi me armë zjarri Castile disa here pasi i kishte ndaluar për një dritë të thyer. Diamond Reynolds dhe vajza e saj 4 vjeçare ishin në makinë. Castile kishte informuar policin se kishte leje për të mbajtur armë dhe po përpiqej të nxirrte dokumentin e identifikimit para se oficeri ta qëllonte disa herë.

Micah Xavier Johnson që vrau pesë policë në Dallas, duket të ketë qenë motivuar nga vrasja e Sterling dhe Castile. Edhe Johnson ishte afrikano-amerikan.

Policia në Dallas thotë se ai kishte plane të shkaktonte më shumë shkatërrim në Dallas. Policia e Dallasit, arriti të frenonte Johnsonin kur përdori një robot për ta vrarë atë në garazhin ku ai ndodhej.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG