Lidhje

Luftime të ashpra në Sudanin e Jugut


Në kryeqytetin e Sudanit të Jugut shpërthyen sot luftime të ashpra, vetëm disa orë pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së, u bëri thirrje udhëheqësve të vendit të zhytur në konflikt të kontrollojnë forcat e tyre të armatosura duke i paralajmëruar se sulmet ndaj civilëve dhe objekteve të OKB-së do të trajtohen si krime lufte.

Sot është dita e pestë e luftimeve në Juba. Ambasadori i Japonisë në OKB-së, Koro Bessho, në rolin e presidentit aktual të Këshillit të Sigurimit, tha mbrëmë pas një sesioni urgjent të Këshillit se gjendja në Sudanin e Jugut është alarmante.

Situata në terren është e paqartë me njoftime për qindra të vrarë dhe nuk dihet në se forcat besnike të presidentit Salva Kiir apo ato të rivalit të tij, nën presidentit Riek Machar, do ta respektojnë thirrjen e OKB-së. Departamenti i Shtetit ka urdhëruar largimin nga ambasada amerikane në Juba të të gjithë personelit jo të domosdoshëm.

Presidenti Kiir, i përkatësisë etnike Dinka dhe nën presidenti Manchar, i përkatësisë Nuer, u përfshinë në një luftë civile dy vjeçare kur presidenti e pushoi nën presidentin Manchar në vitin 2013. Më pas ai u rikthyer si nën president në kuadër të një marrëveshje paqeje vitin e kaluar. Luftimet e ditëve të fiundit në shtetin më të ri të Afrikës, janë të parat që kur Machar u rikthye si nën president në muajin prill.

XS
SM
MD
LG