Lidhje

Sfidat e kandidates demokrate Hillary Clinton


Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton shpreson t’ia ndryshojë fokusin fushatës së saj për Shtëpinë e Bardhë këtë javë dhe të lërë pas debatet për përdorimin e një adrese private emaili kur ishte Sekretare e Shtetit. Zonjës Clinton nuk i duhet më të mendojë për pasoja penale në lidhje me hetimin për emailet, por pasojat e mundshme politike paraqesin një sfidë të vazhdueshme.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballet me vrasjen nga policia të dy afrikano-amerikanëve në Luiziana dhe Minesota, si edhe me sulmin në Dallas që shkaktoi vdekjen e pesë oficerëve të policisë, fushata presidenciale ka mbetur disi në hije.

Kandidatja demokrate Hillary Clinton foli në Filadelfia për nevojën e uljes së gjakrave.

“Askush nuk i ka të gjitha përgjigjet. Duhet t’i gjejmë së bashku. Në fakt, do të ishte e vetmja zgjidhje”.

Kandidati republikan Donald Trump nxorri një deklaratë të regjistruar pas ngjarjes në Dallas.

“Një sulm brutal ndaj policisë sonë, është një sulm ndaj vendit dhe familjeve tona”.

Zonja Clinton shpreson që ta kapërcejë shijen e një jave të vështirë që u përqendrua tek përdorimi i një adrese private emaili. Drejtori i FBI-së, James Comey tha se nuk do të ngrihen akuza penale ndaj zonjës Clinton, por e kritikoi atë ashpër gjithsesi.

“Ka prova që tregojnë një pakujdesi të jashtëzakonshme në mënyrën e menaxhimit të informacioneve shumë delikate dhe sekrete”.

Zoti Trump nuk humbi kohë të sulmonte.

“Hillary, Hillary mashtruese, aq mashtruese. Ka bërë kaq shumë deklarata të rreme. Të gjitha janë gënjeshtra. S’kemi pse të mos ta themi: janë gënjeshtra, dhe ajo është gënjeshtare, apo jo?”

Zonja Clinton shpreson t’ia ndryshojë tonin fushatës me ndihmën e Presidentit Barack Obama.

“Jam jashtëzakonisht krenar për ç’kemi arritur së bashku. Por jam i gatshëm ta kaloj stafetën dhe e di që Hillary Clinton do të jetë ajo që do ta marrë”.

Shumë votues mendojnë se Hillary Clintonit nuk mund t’i besohet. Por mbështetja për zotin Trump është edhe më e ulët, duke e bërë zgjedhjen të vështirë në nëntor, thotë analisti Kyle Kondik.

“Është një zgjedhje mes stabilitetit që ofron Clinton dhe ndryshimit radikal me Trumpin dhe votuesit mund të jenë pak më konservatorë, jo në kuptimin e prirjes politike, por në kuptimin që nuk duan të rrezikojnë shumë dhe mendoj se ky është shansi më i mire që ka zonja Clinton, që të thotë se alternativa Trump është shumë e rrezikshme”.

Republikanët tani kërkojnë një hetim tjetër për të zbuluar nëse zonja Clinton gënjeu Kongresin për emailin e saj, duke rritur kështu mundësinë që debati të vazhdojë të mbesë një çështje zgjedhore deri në nëntor.

XS
SM
MD
LG