Lidhje

Presidenti Obama në Dallas, nderon policët e vrarë


Presidenti Barack Obama tha se vrasja e pesë policëve në Dallas duket sikur ka nxjerrë sheshit “plasaritjet më të thella të demokracisë sonë”, por amerikanët nuk duhet ta pranojnë një nocion të tillë dëshpërues.

Presidenti Obama i bëri komentet të martën në një ceremoni përkujtimore për të vrarët, ku nderoi punën e oficerëve të ruajtjes së rendit. Ai tha se ata i përgjigjen një thirrjeje që, në çdo çast mund të vërë jetën e tyre në rrezik.

Presidenti tha se numri i të vrarëve do të kishte qenë më i madh po të mos ishin veprimet e guximshme të policëve që humbën jetën.

Zoti Obama mori pjesë në ceremoni bashkë me Zonjën e Parë, Michelle, Nënpresidentin Joe Biden dhe bashkëshorten e tij Jill Biden. I pranishëm ishte edhe ish-Presidenti amerikan George W. Bush.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti punoi deri vonë natën për të shkruar fjalimin dhe iu referua Biblës në citimet e tij. Vetëm para pak javësh, ai ishte në Orlando të Floridës, për të ngushëlluar të afërmit e 49 personave të vrarë në një klub nate.

Pesë policët u vranë gjatë një proteste kundër vrasjes nga policia të dy personave afrikano-amerikanë në Luiziana dhe Minesota. Nëntë oficerë dhe dy civilë u plagosën gjatë të shtënave në Dallas.

Kjo është hera e 11-të gjatë mandatit që Presidenti Barak Obama flet përpara një komuniteti pas një vrasjeje masive.

Më shumë se 1.000 njerëz morën pjesë mbrëmë në një ceremoni përkujtimore në Dallas, ku shefi i policisë David Brown i quajti policët e vrarë heronj.

Ai tha se policia e Dallasit gjithmonë përqendrohet në misionin e saj dhe misioni i saj tani është të ndihmojë familjet që të mposhtin këtë tragjedi.

Presidenti Obama do të takohet nesër në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarë të zbatimit të ligjit, aktivistë, akademikë dhe udhëheqës të të drejtave civile në përpjekje për të vazhduar dialogun dhe për të gjetur zgjidhje për çështjen e shkëputjes që ai thotë se ekziston mes policisë dhe njerëzve në shumë komunitete.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG