Lidhje

Parandalimi i vdekjeve para lindjes


Doctor wearing stethoscope

Doctor wearing stethoscope

Çdo vit, 2.6 milionë foshnje në të gjithë botën vdesin pa lindur, sipas një studimi të ri global. Shumica e rasteve janë në vendet më të varfra, por në raport paralajmërohet gjithashtu se vendet e pasura nuk po marrin masa për ta zgjidhur këtë problem në pjesët më të varfra të shoqërisë së tyre.

Fare pranë Parlamentit britanik në Londër, një çift i ri feston lindjen e foshnjës së vet. Ata janë me fat që u është dhënë mundësia për kujdesin e duhur mjekësor.

Edhe në Malavi, në Spitalin Qendror Zomba, nënat janë të lumtura që kanë lindur fëmijë të shëndetshëm.

Por një raport i botuar nga revista “Lancet”, arrin në përfundimin se nuk është bërë sa duhet për të zgjidhur problemin e vdekjeve të foshnjeve në bark të nënës.

Shumë profesionistë të mjekësisë mendojnë se këto lloj vdekjesh janë të pashmangshme, pasi janë rezultat i problemeve të trashëguara gjenetike. Por në fakt, sipas raportit, vetëm pak më shumë se 7 për qind e rasteve ndodhin për shkak të këtyre defekteve dhe shumica dërrmuese mund të parandalohen.

Hannah Blencowe është bashkëautore e studimit të hartuar nga Fakulteti i Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër:

"98 për qind janë nga Afrika nënsahariane dhe Azia e Jugut, apo vende të tjera të varfra. 2 për qind janë nga vende të zhvilluara. Por asnjë vend nuk është i paprekur. Në të gjitha vendet ka vdekje para lindjes që janë të parandalueshme përmes përmirësimit të kujdesit për gruan”.

Gjendja në vende si Ruanda, Kamboxhia, Nepali dhe Bangladeshipo përmirësohet. Dhe vende të zhvilluara si Islanda, Danimarka, Finlanda dhe Holanda po marrin masa që e gjithë popullsia e tyre të përfitojë. Në këto vende ka 1.3 deri në 1.7 vdekje të foshnjeve në barkun e nënës ndër 1 mijë vdekje.

Por sipas studimit, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në disa vende të pasura, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Kanadanë, e ngadalëson përparimin e përgjithshëm:

"Rreziku ndaj grave të klasës së mesme, me nivel të lartë arsimimi në Shtetet e Bashkuara, është shpesh 10 herë më i vogël se sa tek gratë e pakicave. Duhet të zbutet pabarazia, që të ulet rreziku në shkallë kombëtare”.

30 vjet të shkuara, Isobel Martin shkoi në spital të lindte vajzën e saj, por sot i ka mbetur vetëm një medaljon me fotografinë e saj dhe një tufë nga flokët e saj.

Ajo ka sot gjashtë fëmijë, por zbrazëtira që la vajza e saj Holly, ka mbetur në zemrën e saj.

"Isha e pushtuar nga emocioni që po lindja fëmijën e parë, por shpejt u shndërrua në momentin më të keq të jetës sime, sepse e dija që kishte vdekur para se të lindte. E mbaj mend se sa shumë qamë”, - thotë zonja Martin.

Ajo ka krijuar Fondacionin “Holly Martin” për Studimin për Vdekjet para Lindjes, që mban emrin e vajzës së saj, për të ndihmuar prindër të tjerë.

Sipas raportit të kohëve të fundit, cilësia e kujdesit për rastet e vdekjes para lindjes është rritur, por problemi është tek qasja ndaj nivelit të aftësisë profesionale.

Studiuesja Blencowe thotë se masa të thjeshta, si identifikimi dhe trajtimi i grave shtatzëna që kanë malarje dhe sifilis mund të ulë numrin e rasteve të vdekjes para lindjes.

"Përqindjet më të larta janë në Pakistan dhe në Nigeri, ku sistemet e shëndetësisë kanë një disnivel të madh. Në sektorin privat gjen cilësi të lartë kujdesi, të krahasueshëm me gratë në vende të zhvilluara. Por nga ana tjetër, ka gra që nuk kanë qasje fare tek kujdesi shëndetësor. Këto vende duhet ta ngushtojnë hendekun dhe të vënë në dispozicion kujdesin e duhur për gratë që kanë nevojë gjatë shtatzanisë së tyre”.

Sipas raportit, megjithëse po i mbledhin të dhënat, shumë vende nuk po marrin shumë masa.

Studimi sugjeron që organizma si Kombet e Bashkuara, të përcaktojnë objektiva të sakta për investime dhe përmirësime për të ulur numrin e vdekjeve të foshnjeve para lindjes.

XS
SM
MD
LG