Lidhje

Kremlini përdor për propagandë ngjarjet e fundit në SHBA


Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara vazhdon tensioni pas vrasjes së dy afrikano-amerikanëve nga policia dhe pesë policëve që u sulmuan nga një afrikano-amerikan në Dallas të Teksasit javën e kaluar, televizioni shtetëror rus po përçon mesazhin se Kremlini e kupton dhimbjen e amerikanëve, por duke e shoqëruar me leksione.

“Presidenti Obama e pranon se racizmi ekziston në Amerikë”, tha Dmitry Kiselyov, drejtues i një programi me ndikim të përjavshëm lajmesh, Vesti Nedeli dhe drejtor i Russia Segodnya, agjencia zyrtare shtetërore ruse e lajmeve.

“Kultura amerikane paraqet një version të lustruar të vetvetes, atë që prezantohet nga politikanët, në revista dhe në televizion e filma”, vazhdoi Kiselyov.

Ai argumentoi se ndërsa “vrasin afrikano-amerikanët”, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të imponojnë idealet amerikane ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj atyre vendeve, të cilave Amerika do t’u marrë burimet. Ai parashikoi se numri i të vrarëve nga policia do të dyfishohet deri në fund të vitit.

“Policia ruse sillet ndryshe, përfundoi Kiselyov. Jo ideale, por në përgjithësi, shumë më mirë”.

Analisti politik rus, Fyodor Krasheninnikov thotë se krahasimi direkt ishte kuptimplotë.

“Rusia ka aq shumë probleme sot saqë qeveria nuk mund t’i injorojë dhe të vazhdojë t’u thotë njerëzve se se çdo gjë është në rregull”, thotë ai.

“Prandaj përgjigjia e Kremlinit është që t’u kujtojë rusëve se çfarëdo problemesh të kemi në vend, në Perëndim është edhe më keq”, shton Krasheninnikov.

Ndërsa retorika anti-amerikane në valët e transmetimeve ruse është bërë gjithmonë e më shumë rutinë, përqendrimi tek tensionet e fundit racore në Amerikë, të kujton gjithashtu edhe betejat e propagandës së Luftës së Ftohtë.

Autoritetet sovjetike shpesh përpiqeshin të shmangnin kritikat për shkekjen e të drejtave të njeriut, duke sulmuar Shtetet e Bashkuara për diskriminim të Afrikano Amerikanëve.

Në pasqyrimin e tragjedive në Teksas, Luiziana dhe Minesota, media shtetërore ruse edhe njëherë duket sikur po i trumbeton tensionet racore në Shtetet e Bashkuara.

“Obama erdhi në pushtet me sloganin tashmë të harruar ‘Po, ne mundemi’”, përfundoi gazetari Valentin Bogdanov i Vesti Nedeli në raportimin e tij nga Dallasi.

Tani, shtoi ai, amerikanët po dëgjojnë një tjetër mesazh nga presidenti i tyre.

“Jo, nuk mundemi”.

XS
SM
MD
LG