Lidhje

Propozimi i Nuland, PD jep tjetër variant


Propozimi i opozitës parashikon një rol të reduktuar të Misionit Ndërkombëtar në procesin e verifikimit. Ambasada amerikane: Jemi të zhgënjyer

Në Shqipëri, Partia Demokratike i është përgjigjur me një kundërpropozim formulës së kompromisit të ofruara nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland për kapërcimin e ngërçit që pengon miratimin e Reformës në Drejtësi. Sipas opozitës, vëzhguesve ndërkombëtar në procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund t’u jepen kompetenca kushtetuese. Ambasada amerikane në Tiranë u shpreh e zhgënjyer nga përgjigja e demokratëve, ndërkohë që sipas kryeministrit refuzimi i demokratëve lidhet me frikën ndaj paanshmërisë dhe besueshmërisë së Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit

Kur ngërçi i gjatë lidhur me formulën e emërimit të disa anëtarëve të institucioneve të Drejtësisë nga ana e parlamentit, mori zgjidhje, një tjetër pengesë u shfaq lidhur me reformën në Drejtësi. Të dielën Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland njoftoi se u kishte ofruar palëve një propozim hibrid kompromisi që mbante parasysh kërkesat e të dy palëve. Propozimi, përfshinte formulën e kërkuar nga opozita për emërimet e ndërkohë ruante rolin e fortë ndërkombëtar në procesin e verifikimit. Ndërsa socialistët e pranuan kompromisin, e djathta u përgjigj sot me një kundërpropozim, që prek pikërisht rolin e Misionit Ndërkombëtar.

Reforma në drejtësi, PD jep tjetër variant
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kryetari Basha tha se “kemi mbështetur dhe mbështesim kompetencat më të gjëra dhe më të pakufizuara të Komisionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por jo kompetenca kushtetuese dhe as kuazi-kushtetuese. Nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese. Dhe këtu Venecia është fare e qartë: monitorim, dhe Partia Demokratike është fare e qartë, monitorimin më robust, më të fuqishëm të mundshëm por jo ndërtimin e perdeve, alibive apo kthesave ku projekti i reformës në drejtësi mund të përplaset me interesat e Edi Ramës. Partia Demokratike jo vetëm nuk e ka refuzuar por e konsideron propozimin hibrid një hap larg marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Dhe hapi që duhet të përmbushet është sjellja në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias të rolit të misionit ndërkombëtar të monitorimit duke e fuqizuar dhe jo duke e dobësuar atë”.

Por kur prezantoi propozimin e kompromisit edhe zonja Nuland saktësoi se ai “është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, ndërsa theksoi se gëzon jo vetëm mbështetjen e saj por dhe të Uashingtonit dhe Brukselit.

Ambasada amerikane u shreh “e zhgënjyer me përgjigjen e Z. Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtës”, duke nënvzuar se propozimi i tyre ishte “një zgjidhje në mirëbesim – gjysmën nga qeveria dhe gjysmën nga opozita” dhe se “zoti Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”, thekson ambasada duke shtuar se megjithatë “është duke vazhduar bisedën me të dyja palët në përpjekje për t’i sjellë përsëri tek mbështetja për propozimin hibrid diskutuar nga Ndihmës-Sekretarja Nuland të dielën”.

Nga ana e tij zoti Basha tha se me miqtë gjërat diskutohen hapur dhe kur për ato nuk ka dakortësi: “Ky është një proces negociatash. Mos jetoni me drama. Ne japim dhe do të japim kontributin tonë. Nganjëherë marrim vlerësimin e merituar, nganjëherë marrim vlerësimin e pamerituar por asnjëherë nuk e marrim personalisht”.

Zoti Basha ftoi shumicën që të negociojnë mbi aspektet e kundërshtuara prej saj, ndërsa më herët kryeministri Rama kishte shprehur gatishmëri të takohej sërish me të për t’i dhënë zgjidhje një problemi që sic theksoi zoti Rama lidhet me të ardhmen e vendit. Kryeministri megjithate, kujtoi propozimet e ndryshme të bëra në kohë nga opozita: "Duke nxjerrë një kundërpropozim, që në fakt nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysmë:Partia Demokratike nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin, integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë. Sepse, i friket pikërisht paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurive, vendimmarrjeve dhe aftësive të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”.

Sipas tij opozita po flet sot për sovranitet ndërkohë që më parë ka qenë ajo që ka kërkuar me ngulm dhe hetime ndërkombëtare. Në emër të sovranitetit britanikët e morën veten në qafë, thekoi zoti Rama duke shtuar se “nëse në emër të sovranitetit ky refuzim i opozitës është një ftesë, që dhe shqiptarët ta marrin veten në qafë, kjo është një ftesë që asnjë shqiptar, socialist, demokratik, pa parti, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë nuk mund ta pranojë”.

Për përgjigjen e opozitës reagoi pasdite edhe Delegacioni i Bashkimit europian, i cili u shpreh i keqardhur “që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis”. Në një deklaratë të tij theksohet se “besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor”.

Delegacioni saktëson gjithashtu se “kjo përputhet plotësisht me Opinionin e Komisionit të Venecias që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues. Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin e qartë se komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-verifikimin e anëtarëve të organeve të verifikimit, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”.

Delegacioni i Bashkimit europian bën thirrje që “negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. Kjo do të diskutohet gjithashtu nga Zëvendës Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm Helga Schmid gjatë vizitës së saj në Shqipëri sot dhe nesër”, përfundon deklarata.

XS
SM
MD
LG