Lidhje

Tirana dënon ashpër terrorin në Nisë


Autoritetet më të larta të vendit shprehin solidaritet me Francën dhe rikonfirmojnë angazhimin në luftën kundër terrorizmit

Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit dënuan me ashpërsi aktin e mbrëmshëm terrorist në Nisë të Francës ku humbën jetën 84 persona ndërsa dhjetra të tjerë mbetën të plagosur. Në një mesazh ngushëllimi dërguar presidentit francez François Hollande, kreu i Shtetit shqiptar Bujar Nishani shkruan se “akti i mbrëmshëm terrorist në Nisë, që përgjaku Ditën Kombëtare të Francës dhe gëzimin e francezëve, më tronditi dhe më revoltoi pa masë. E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhimbje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Në një postim në Facebook, kryeministri shqiptar Edi Rama shkruan se “strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lirë! Nazizmi i ri do të mundet njësoj si i vjetri! Franca dhe liria do triumfojnë”.Ndërsa kryetari i Parlamentit Ilir Meta thekson se “terrori nuk mund të cënojë lirinë dhe vlerat e shoqërive tona demokratike, ndaj duhet të intensifikojmë bashkëpunimin dhe koordinimin mes vendeve tona aleate në interes të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të pafajshëm që jetojnë në hapësirën evropiane”.

Edhe ministria e Jashtme duke dënuar me forcë sulmin e rëndë terrorist të ndodhur dje në Francë, “shpreh solidaritetin dhe ngushëllimet për popullin dhe autoritetet franceze në këtë moment të vështirë. Qëndrojmë krahë Francës në betejën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme”, nënvizon ministria e Jashtme. Një pozicion të njejtë ka mbajtur edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha. “Akti i pabesë terrorist, në orën që të rinj, fëmijë, burra e gra po festonin ditën kombëtare, ka lënduar gjithkend por jam i bindur se Franca do të ringrihet më e fortë. Ne jemi më të bashkuar se kurrë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj ekstremizmi që merr jetë të pafajshme”, shkruan zoti Basha në Facebook.

XS
SM
MD
LG