Lidhje

Drejtësia, Lu: Rama e Basha të takohen sërish


Ambasadori amerikan: Propozimi i opozitës i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara. Tregon se Basha ka thyer zotimin e tij ndaj Ambasadores Nuland. Po nuk u arrit kompromis deputetët të votojnë reformën

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu ftoi sot kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha të takohen sërish për të gjetur një zgjidhje për Reformën në Drejtësi. Ngërçi tanimë lidhet me rolin e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e verifikimit. Opozita ju përgjigj me një kundër-propozim ofertës së ndihmës sekretares amerikane Victoria Nuland, por për ambasadorin amerikan "është e papranueshme". Ai tha se ka ende kohë për kompromis duke përsëritur se edhe në paumndësi të këtij kompromisi parlamenti duhet ta miratojë reformën

Shqipëri: Reforma në Drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:39 0:00

Përpara se ambasadori amerikan të dilte pasdite për deklaratën e tij, kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha shëmbyen replika në distancë me njëri tjetrin. Ndërsa e cilësoi si alibi të opozitës, kundërshtimin e saj për rolin që duhet të kenë ekspertët ndërkombëtarë në procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryeministri, siç dhe e kishte paralajmëruar dje përmes Facebook-ut deklaroi se: “Ne jemi gati të votojmë më 21 korrik çdo gjë që PD do të fusë në draftin e Reformës në Drejtësi me kushtin qëtë pranohet nga SHBA e BE se është në përputhje të plotë me standartet e kërkuara nga Shqipëria për reformimin e Drejtësisë në Shqipëri në funksion të integrimit europian. Ka më qartë dhe më shumë konsensus se kaq?”

Duke i mëshuar disa herë fjalës konsensus, kryeministri u duk se po i jepte një përgjigje dhe aleatit të vet, LSI e cila në mënyrë të qartë ngjan se po e kushtëzon votën pro me nevojën e konsensusit me opozitën, duke ritheksuar ashtu si dhe ajo se Reforma duhet të jetë në përputhje me Komisionin e Venecias. Zoti Rama gjithashtu deklaroi se nuk pranonte më vazhdimin e procesit të negocimit “për t’i dhënë mundësi, Partisë demokratike që të gënjejë shqiparët se është qeveria që nuk e do kompromisin”.

Zoti Basha u përgjigj përmes Facebook-ut duke shkruar se “Rama nuk tërhiqet nga bllokimi por gjen pretekste për t’i ikur përgjegjësisë dhe për t’ju fshehur Venecias. Nëse vërtetë e do reformën në drejtësi, zgjidhjen e ka gati, e ka në tryezë”.

Deklaratave të dy udhëheqësve shqiptarë, ambasadori amerikan ju përgjigj: “Sot, zoti Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë Z. Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe se tregon që ka thyer zotimin e tij ditën e dielë ndaj Ambasadores Nuland. Gjithashtu sot, zoti Rama njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA. Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë”.

Ambasadori Lu tha se i sfidonte të dy drejtuesit politik duke propozuar që ata të takoheshin sërish bashkë të hënën me premtimin se nuk do të dilnin nga takimi pa një zgjidhje: “Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi. Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë”.

Ambasadori amerikan kujtoi pyetjen që ai kishte ngritur muaj më parë lidhur me atë se kush i trembej reformës: Krerët e krimit të organizuar? Gjyqtarët e korruptuar? Apo politikanët kriminelë? Për ambasadorin Lu “sot, përgjigja është e qartë. Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë”.

Dhe për këtë arsye ai përsëriti thirrjen drejtuar deputetëve shqiptarë: “Të enjten, deputetët e kuvendit kanë mundësinë të tregojnë qëndresë për popullin e nderuar të Shqipërisë, që po e kërkon këtë reformë. Ka ende kohë që Z. Basha dhe Z. Rama të gjejnë një kompromis. Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojë këtë Reformë”.

Për ambasadorin amerikan një ditë kjo Reformë do të miratohet, dhe se "e vetmja pyetje është nëse ky parlament dhe udhëheqësit e partive politike, do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj", nënvizoi ambasadori Lu.

XS
SM
MD
LG