Lidhje

Turqi, Erdogan dënon tentativën për grusht shteti


Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili arriti në Stamboll të shtunën në mëngjes, dënoi si akt tradhtie një grusht shteti në tentativë, të ndërmarrë nga një grup oficerësh të ushtrisë.

Qindra përkrahës dolën për ta pritur zotin Erdogan në Aeroportin Ataturk të Stambollit. Në një fjalim që mbajti drejtpërdrejt në televizion, ai tha se kryeministri Binali Yildirim kishte urdhëruar "çrrënjosjen" e ushtarëve të përfshirë në rebelim dhe se shumë arrestime mes oficerëve ishin në proces e sipër.

Ushtria turke tha të premten se kishte marrë pushtetin, por të shtunën, herët në mëngjes, autoritetet turke deklaruan se përpjekja për grusht shteti ishte zmbrapsur. Në të gjithë vendin është vendosur gjendja e jashtëzakonshme.

Gjatë natës, gjendja ishte mjaft e paqëndrueshme. Pati njoftime për shpërthime, duke përfshirë të paktën dy bomba që goditën ndërtesën e parlamentit në Ankara. Pati gjithashtu të shtëna me armë në Stamboll si dhe njoftime se një avion luftarak turk kishte rrëzuar një helikopter të përdorur nga komplotistët. Të shtunën në mëngjes, policë dhe ushtarë shkëmbyen zjarr në sheshin Taksim. Pas kësaj, sipas njoftimeve, ushtarët dorëzuan armët.

Një sulm me helikopter të premten në Ankara në selinë e forcave speciale të policisë la 17 oficerë të vdekur, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu.

Zyrtarët perëndimorë të zbulimit dhe ata ushtarakë janë duke vëzhguar nga afër zhvillimet në Turqi, anëtare e NATO-s dhe një aleate kryesore e SHBA-së në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Turqia gjithashtu mbështet opozitën e moderuar që përpiqet të përmbysë presidentin sirian Bashar al-Assad.

ERDOGAN, THIRRJE PËRKRAHËSVE ME CELULAR

Para se të kthehej në Stamboll, Presidenti Erdogan, nga një vend i panjohur zhvilloi përmes FaceTime një intervistë me një stacion televiziv vendës, duke i bërë thirrje popullit turk të dilte në rrugë për të protestuar kundër veprimeve të ushtarëve.

Ai tha se ata të cilët qëndrojnë pas këtyre veprimeve janë të lidhur me klerikun Fetullah Gylen, me bazë në SHBA. Gylen, ish-aleat i zotit Erdogan, e ka akuzuar presidentin për korrupsion, akuza që siç duket janë pjesë e një lufte për pushtet.

Presidenti i SHBA Barack Obama dhe Sekretari i Shtetit John Kerry nxorën një deklaratë ku u bënin thirrje të gjitha palëve në Turqi për të mbështetur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ushtria publikoi një deklaratë me e-mail, të lexuar në televizionin turk, ku thuhej se “kishte marrë në kontroll të plotë” qeverisjen, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Kryeministri Binali Yildirim i tha televizionit privat NTV se ky grup kishte sulmuar stacionin kryesor televiziv, TRT, dhe i kishte detyruar folësit të lexonin një deklaratë në të cilin thuhej se në vend ishte shpallur shtetrrethimi.

"Qeveria e zgjedhur nga populli mbetet në krye. Kjo qeveri do të ikë vetëm kur njerëzit ta kërkojnë këtë”, tha kryeministri në kanalin privat NTV.

Në Stamboll, duke përfshirë sheshin Taksim, pati grumbullime të mëdha njerëzish, të cilët valëvitnin flamuj dhe hidhnin parrulla në mbështetje të zotit Erdogan.

Nga ana e tij, Presidenti Erdogan, tha: "Unë nuk besoj në një fuqi mbi vullnetin e popullit" dhe deklaroi se komplotistët e grushtit të shtetit do të paguanin një "çmim shumë të lartë."

Një korrespondent i Zërit të Amerikës në Stamboll tha se të premten vonë policia kishte arrestuar ushtarë që nuk u bindeshin urdhrave.

Ushtarë të tjerë që fillimisht ishin jashtë kontrollit, filluan të kthehen në kazermat e tyre, sipas zëdhënësit të zbulimit turk Nuhy Ilmiz, i cili tha se ata do të kenë pasoja shumë të ashpra.

Në Ankara, helikopterët ushtarakë u panë duke fluturuar mbi kryeqytet. Zyrtarët qeveritarë thanë se një avion luftarak turk rrëzoi një helikopter të përdorur nga komplotistët.

Pati gjithashtu njoftime të shumta për marrje pengjesh në Ankara.

Televizioni CNN Turk tha se pengjet mbaheshin në një shtab ushtarak. Mes atyre që mbaheshin ishte Shefi i shtabit, gjenerali Hulusi Akar, i cili tani është liruar.

Aeroporti Ataturk i Stambollit u mbyll për trafikun dhe tanket bllokuan bllokuar hyrjen. Forcat e sigurisë bllokuan të gjithë trafikun në Bosfor dhe në dy urat kryesore mbi ngushticë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se zyrtarët janë duke vëzhguar nga afër situatën. Ai tha se e gjithë kjo deri tani nuk ka patur ndonjë ndikim mbi bazën ajrore Inçirlik dhe operacionet ajrore kundër ISIS-it nga kjo bazë do të vazhdojnë.

Zyrtarë amerikanë të ushtrisë dhe të zbulimit prej kohe kanë theksuar rolin kritik të Turqisë si në krizën e refugjatëve sirianë ashtu edhe në bllokimin e rrjedhës së luftëtarëve apo të furnizimeve për grupin terrorist Shtetit Islamik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG