Lidhje

Lëvizja "Kurrë Trump" ndeshet me rezistencën e PR


Në Shtetet e Bashkuara, lëvizja e quajtur “Kurrë Trumpin”, një përpjekje e një grupi republikanësh për të penguar emërimin e Donald Trump-it si kandidati për president i partisë republikane për zgjedhjet e nëntorit, duket se ka marrë një goditje të fortë.

Komiteti i Partisë Republikane që përcakton rregullat e Kuvendit e hodhi poshtë një propozim, që do t’i lejonte delegatët javën e ardhshme në Kuvendin e partisë që mbahet në Cleveland të Ohio-s, për të votuar për një kandidat tjetër, veç atij që ka fituar në zgjedhjet paraprake të partisë dhe të shteteve.

Analistët thonë se komiteti me 112 anëtarë për rregulloren e Kuvendit e shtypi me sukses përpjekjen “Kurrë Trumpin”, për të mos lejuar që Donald Trump të jetë kandidati republikan për president.

Paul Manafort, kryetari i fushatës së zotit Trump tha në një intervistë për gazetën “The Washington Post” se përpjekja për të ndryshuar rregulloren do ta shkatërronte Partinë Republikane.

Do të ishte një vetëvrasje politike, tha Stephen Munisteri, njëri prej delegatëve dhe një figurë e rëndësishme e Partisë Republikane nga Teksasi, që të injorohen miliona votues, të cilët votuan për zotin Trump në zgjedhjet paraprake.

Trump ka qenë vazhdimisht një kandidat i debatueshëm për republikanët, për shkak të deklaratave të tij për pakicat, imigrantët, gratë dhe shumë prej republikanëve të tjerë.

Të dy ish-presidentët Bush dhe ish-kandidati republikan për president, Mitt Romney, thonë se nuk do të marrin pjesë në Kuvendin e Partisë javën e ardhsme. Por Donald Trump tani ka siguruar miratimin e partisë së tij. Ai është popullor në mesin e disa segmenteve të popullsisë amerikane, të cilët nuk i kushtojnë rëndësi komenteve të tij.

XS
SM
MD
LG