Lidhje

Kërcënimi terrorist pas sulmit në Nisë


Hetimet e deritanishme të sulmit terrorist në Nice gjatë festimeve të Ditës së Bastijës nuk kanë treguar ende lidhje të qarta me terrorizmin. Por, ekziston frika se një paqartësi e tillë shfrytëzohet nga Shteti Islamik dhe grupe të tjera terroriste për të frymëzuar sulme të armatosura nga elementë kriminalë dhe segmente të tjera të shoqërisë.

Në zonat e rrethuara nga shiritat e policisë, hetuesit vazhdojnë të hulumtojnë për të zbuluar rrethanat e tragjedisë, autori i së cilës, Mohamed Lahouaiej Bouhlel, ishte një 31-vjeçar francez i lindur në Tunizi, me historik të mëparshëm të dhunës me armë.

“Ndërkohë, ai ishte jashtë vëmendjes së shërbimeve të zbulimit dhe nuk pati treguar asnjëherë shenja radikalizimi”, thotë prokurori Francois Molin.

Ndërsa policia kontrollonte banesën e tij, fqinjët thanë se diçka nuk shkonte me Mohamed Bouhlel.

“Ishte i frikshëm. Kishte një vështrim... Shikonte fëmijët gjithë kohës”, thotë Hanan.

Zyrtarët e zbulimit dhe ekspertët thonë se imazhi i tij është shqetësues dhe përputhet me atë të autorëve të sulmeve në Paris dhe Bruksel. Daveed Gartenstein-Ross është me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Fakti që ai ishte i njohur për policinë, por jo për shërbimet e zbulimit, nuk është një tregues.”

Zyrtarët thonë se Shteti Islamik mund të jetë në kërkim për elementë kriminalë apo persona me probleme mendore që mund të përdoren për sulme.

“Synimi është të motivohen këta persona për sulme të thjeshta, duke përdor mjete të thjeshta, pranë zonave ku ata banojnë”, thotë analisti Scott Stewart me Stratfor.

Proçesi është i shpejtë dhe nuk lë gjurmë të qarta komunikimi që mund të ndiqen nga agjensitë e zbulimit.

“Kanë qenë të efektshëm me komunitetet e paqëndrueshme, nëpërmjet propagandës online dhe rrjeteve të ndryshme”, thotë analistja Emily Winterbotham.

Ndërkohë që do të konkludohet nëse sulmi në Nice ka lidhje të qarta me Shtetin Islamik, zyrtarët e zbulimit thonë se mbetet i lartë rreziku për sulme të tilla të ngjashme në të ardhmen e afërt.

XS
SM
MD
LG