Lidhje

Propozimi i Metës për takim, edhe Basha gati

  • Armand Mero

Reforma në Drejtësi, kryetari i opozitës i përgjigjet pozitivisht ftesës për një takim me praninë dhe të ambasadorëve Lu e Vlahutin. Basha: Qeveria teknike, zgjidhja e duhur

Në Shqipëri, kryetari i opozitës Lulzim Basha ju përgjigj sot pozitivisht ftesës së bërë një ditë më parë nga kryetari i Parlamentit Ilir Meta për një takim tjetër me kryeministrin Edi Rama për Reformën në Drejtësi , me praninë edhe të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe të Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin. “Mbështesim dhe mirëpresim propozimin e Metës për një dialog shumëpalësh. Gjithpërfshirja ka zgjidhje”, shprehet zoti Basha përmes një deklarate. Zoti Basha ishte i vetmi që nuk kishte komentuar deri sot në mëngjes ftesën, dhe me përgjigjen pozitive mbetet vetëm të caktohet ora e takimit.

Opozita deri tani ka këmbëngulur në kundër-propozimin që ajo bëri ndaj ofertës së kompromisit të dhënë më 10 korrik nga Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland. Një propozim që është konsideruar i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara. Edhe në përgjigjen që ambasadori amerikan Donald Lu, i ktheu ftesës së zotit Meta saktësohet se ftesa mirëpritet “duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS”. Në të njejtën linjë ka qenë dhe ambasadorja Vlahutin. “BE e pranon ftesën e tij për t'iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid. Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare”, shpjegon deklarata e djeshme e Delegacionit të BE-së.

Në deklaratën e tij të sotme për takimin zoti Basha nuk është se tërhiqet nga propozimi i opozitës por lë hapësira për bisedime për zgjidhje. “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjesisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik”, saktëson zoti Basha.

Drejtuesi i opozitës gjithashtu ka mirëpritur propozimin e kryetarit të parlamentit Ilir Meta i cili miratimin e Reformës në Drejtësi e ka lidhur dhe me krijimin e një qeverie të re teknike. “Partia Demokratike dhe unë e kemi konsideruar dhe e konsiderojme krijimin e një qeverie teknike si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për stopimin e krizës së gjithanshme të vendit. Fakti që një parti qeveritare i bashkohet në mënyrën dhe autonominë e vet opsionit të opozitës tregon qartë se kjo është rruga e vetme, në kushtet e degradimit ekstrem të qeverisjes, për një konkurim te lirë, të drejtë e të barabartë të partive në zgjedhje, duke e lënë vendimin në duart e sovranit”, shprehet zoti Basha.

Lidhur me kushtëzimin e krijimit të qeverisë teknike me miratimin e Reformës, kreu i opozitës jep një shpjegim të përgjithshëm. “Dëshiroj të nënvizoj se PD dhe opozita kanë kërkuar dhe janë angazhuar që prej fillimit e deri në këtë sekondë për një reformë konsensuale të standarteve të Venecias dhe në bashkepunim të ngushte me partnerin tone strategjik SHBA dhe BE”, thekson zoti Basha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG