Lidhje

Kuvendi i Republikanëve hapet mes masash të rrepta sigurie


Në fund të kësaj jave, Partia Republikane do të ketë emëruar zyrtarisht Donald Trumpin si kandidat presidencial. Sot në Cleveland të Ohajos, hapet Kuvendi Kombëtar i Republikanëve i cili gjatë një jave do të paraqesë çështje të ndryshme që shqetësojnë amerikanët dhe propozimet për zgjidhjen e tyre sipas këndvështrimit të figurave të rëndësishme të kësaj partie.

Kuvendi i republikaneve ne Cleveland
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:21 0:00

Barrikadat e policisë ishin vendosur në rrugët kryesore dhe kryqëzime në qendër të Clevelandit, për të parandaluar sulme të llojit që ndodhën në Francë të enjten e kaluar kur një person vrau 84 vetë duke përplasur një kamion të madh mes njerëzve që festonin.

Ndërkohë, prej kohësh ka pasur shqetësime për protestat e dhunshme dhe përleshje mes atyre që mbështesin kandidatin e pritshëm republikan, Donald Trump dhe atyre që janë kundër tij dhe retorikës së tij.

Johanna Bulein, një simpatizante e zotit Trump që kishte ardhur në Cleveland nga shteti i Tenesisë, i tha Zërit të Amerikës se ata që nuk mbështesin atë, nuk janë “konservatorë të vërtetë”.

"Ai mund të jetë pak i ashpër dhe thotë gjëra që mund të mos duken të bukura, por ai nuk ndryshon qëndrim, e do vendin, dhe mendon për atë që është në interesin tonë më të mirë”.

Ndërkohë që dje mbi 100 protestues marshuan dje në Cleveland duke filluar një javë që duket se do të jetë e mbushur me protesta. Megjithëse protesta kishte si qëllim kundërshtimin ndaj zotit Trump dhe Kuvendit Republikan, ata që ishin mbledhur kundërshtuan edhe brutalitetin e policisë.

“Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa që njerëzit të vazhdojnë të dalin në rrugë, të bllokojnë kryqëzimet, autostradat dhe qendrat tregëtare. Nuk mund të pritet një përgjigje normale ndaj dhunës së policisë”, tha protestuesja Monica Moorehead.

Mijëra forca shtesë të rendit dhe personel sigurie nga gjithë vendi për të ndihmuar në masat e sigurisë.

Ndërkohë, në një intervistë dje në mbrëmje për emisionin e CBS-it, “60 Minutes”, e para me kandidatin për nënpresident Mike Pence, zoti Trump iu përgjigj një pyetjeje për gjendjen e botës, me kritika të ashpra ndaj kandidates së pritshme demokrate, Hillary Clinton dhe Presidentit Obama, një ton që pritet ta shoqërojë Kuvendin. Ai foli për luftën kundër ISIS.

“Do t’i shpallim luftë ISIS-it. Duhet ta shfarosim ISIS-in. Do të vendos shumë pak trupa në terren. Do të kemi një kapacitet zbulimi të jashtëzakonshëm, sepse na duhet. Sepse tani për tani nuk e kemi”, tha zoti Trump.

Lidhur me kandidatin për nënpresident, Pence, zoti Trump tha se ai po tërheq konservatorët që kishin dyshime për kandidaturën e tij.

Temat e sotme në kuvend janë siguria kombëtare dhe imigracioni. Mes atyre që do të flasin, janë ish-guvernatori i Teksasit, Rick Perry, nëna e një amerikani që u vra në Bengazi të Libisë, ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani dhe gruaja e zotit Trump, Melania, që është vetë imigrante.

Vetë zoti Trump pritet të flasë të enjten. Ndërsa disa udhëheqës republikanë do të flasin në kuvend, si kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, të tjerë si dy ish-presidentët Bush dhe ish-kandidatët presidencialë, John McCain dhe Mitt Romney nuk do të marrin pjesë, një tjetër tregues i ndasive mes republikanëve lidhur me kandidaturën e zotit Trump.

XS
SM
MD
LG