Lidhje

Turqia shkallëzon spastrimin e nëpunësve civilë


Turqia shkallëzoi të martën spastrimin e mësuesve dhe nëpunësve civilë të dyshuar për përfshirje në grushtin e dështuar të javës së kaluar.

Qeveria ka shkarkuar më shumë se 24,000 njerëz dhe ka dërguar në Uashington dosje me dokumente ku pretendohet se prapa puçit qëndronte një klerik islamik në mërgim.

Media turke njoftoi se ministria e arsimit ka hequr nga puna 15,200 mësues në të gjithë vendin, ndërsa ministria e brendshme ka shkarkuar rreth 9,000 vetë.

Një tjetër kontingjent prej 257 vetësh që punonin në zyrën e kryeministrit u pushuan, po ashtu edhe 492 në drejtorinë e çështjeve fetare. Bordi i arsimit të lartë kërkoi dorëheqjen e 1,577 dekanëve.

Shkarkimet u shtohen rreth 9.000 personave të tjerë që Ankaraja ka arrestuar për përfshirje në tentativën për përmbysjen e qeverisë së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Kryeministri Binali Yildirim tha se Turqia ka dërguar në SHBA katër dosje lidhur me klerikun Fethullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999.

Turqia thotë se 75-vjeçari Gulen ka orkestruar përpjekjen për grusht shteti të premten e kaluar dhe ka dhënë komanda nga kompleksi i tij në Malet Poconos në shtetin verilindor të Pensilvanisë, akuza që ai i ka hedhur poshtë.

Yildirim: Jo hakmarrje

E megjithatë, Kryeministri Yildirim i paralajmëroi njerëzit që të mos hakmerrenpër grushtin e dështuar të shtetit. Ai i bëri komentet pas kritikave nga Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë,

“Askush nuk duhet të ketë ndjenja hakmarrjeje. Kjo është e papranueshme në një shtet që sundohet nga ligji,” tha zoti Yildirim ndërsa bëri thirrje për vëllazëri pas përpjekjeve për grusht shteti.

Kryeministri tha se do të shkulte rrënjët e lëvizjes së klerikut Fethullah Gulen, që kjo lëvizje, sipas tij, të mos tradhëtojë përsëri popullin turk.

Kleriku mysliman, Fethullah Gulen, i fajësuar për grushtin e shtetit, jeton prej disa vitesh në Amerikë.Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Turqisë që të tregohet e vetpërmbajtur dhe të veprojë brenda kornizës ligjore ndërsa heton përpjekjet e grushtit të shtetit të javës së kaluar.

Të hënën në Bruksel, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se ai mbështeste nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të grushtit të dështuar të shtetit, por paralajmëroi qeverinë kundër tejkalimit të kompetencave ndërsa rivendosin rendin në vend.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Josh Earnest theksoi mbështetjen amerikane për qeverinë e zgjedhur në rrugë demokratike dhe tha se Uashingtoni vlerëson fuqishëm “lidhjen e rëndësishme” me aleatin e saj në NATO. Por ai tha se qeveria duhet të jetë “mbështetëse e procesit dhe lirive të përcaktuara në kushtetutën turke ku përfshihet liria e fjalës, liria e shtypit dhe liria për tubime.”

XS
SM
MD
LG