Lidhje

Gjermani, flamur i ISIS-it në banesën e sulmuesit


Autoritetet në Gjermani njoftuan se kanë gjetur një flamur të Shtetit Islamik në banesën e adoleshentit që sulmoi dje me thikë dhe sopatë pasagjerët e një treni. Pak pas zbulimit të flamurit të pikturuar me dorë, Shtetit Islamik mori në internet autorësinë për sulmin.

Dëshmitarët thanë se e dëgjuan personin të bërtiste “Allahu akbar”, ndërsa ai po kryente sulmin.

Disa njerëz u plagosën, ndër ta edhe anëtarët e një familjeje kineze, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Shteti Islamik deklaroi sot në internet autorësinë për sulmin, vetëm pak pasi ishte zbuluar flamuri.

Në deklaratë thuhet se autori ishte “një anëtar i Shtetit Islamik”, i cili e planifikoi veprimin e tij pas thirrjeve për sulme kundër vendeve perëndimore.

Shefi i policisë, Rainer Wendt, tha sot se është e vështirë të ndalen sulmet e të ashtuquajturve “ujqër vetmitarë”.

“Është iluzion të mendojmë se policia dhe forcat e sigurisë munden të parandalojnë plotësisht sulme të tilla. Kur një individ ka vendosmërinë për të kryer akte dhune, ne nuk mundemi t’i parandalojmë veprime të tilla. Mundemi të reagojmë ndaj situatës, por nuk mund të ndodhemi gjithandej njëkohësisht me personel në të gjitha stacionet e trenit dhe aeroportet për të parandaluar sulmet e armatosura të individëve të radikalizuar.”

Personi në fjalë, refugjat 17-vjeçar nga Afganistani, u vra nga policia ndërsa po përpiqej të largohej nga skena e krimit.

Shteti Islamik ka marrë autorësinë për disa sulme të kryera në emrin e tij, megjithëse lidhja ndërmjet këtij grupi dhe sulmuesve mbetet e paqartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG