Lidhje

Thirrje për unitet përballë tensioneve racore


Zyrtarët amerikanë po u bëjnë thirrje njerëzve të qëndrojnë të bashkuar përballë akteve keqdashëse që synojnë të shkatërrojnë fibrat lidhëse të shoqërisë. Policia ka identifikuar personin e armatosur që vrau të dielën tre policë në Baton Rouge të Luizianës, si 29-vjeçari Gavin Long, ish-marins i cili kohët e fundit identifikohej si Cosmo Ausar Setepenra dhe kishte qenë aktiv në median sociale me mesazhe anti-qeveritare:

Policia thotë se i dyshuari, i cili u qëllua për vdekje të dielën në mëngjes në përleshje me policinë e Baton Ruzhit, kishte ardhur në Luiziana nga Mizuri.

“Ai erdhi këtu nga një qytet tjetër për t’i bërë keq komunitetit tonë, në veçanti policëve që ruajnë rendin në komunitet,” tha guvernatori i Luizianës John Bel Edwards.

Vrasja e tre policëve ndodhi pak ditë pasi një snajper vrau pesë policë në Dallas. Këto dy sulme u zhvilluan ndërkohë që vendi ishte përfshirë nga protesta kundër dhunës së tepruar policore ndaj afrikano-amerikanëve, pas vrasjes së dy afrikano-amerikanëve nga policët brenda një jave. Governatori i Luizianës John Bel Edwards thotë se drejtësia nuk vihet në vend duke vrarë policë:

“Ky ishte një sulm diabolik ndaj fibrave lidhëse të shoqësirë. Dhe nuk po e hiperbolizoj. Nuk po e teproj me këto që them. Asgjë nuk është më e rëndësishme se ruajtja e rendit për t’i garantuar qytetarit një jetë të mirë”.

Autori i vrasjes ishte afrikano-amerikan, ashtu si Montrell Jackson, një ndër policët e vrarë të dielën.

“Nuk nxjerrim gjë duke vrarë njëri-tjetrin. Vrasja e policëve të bardhë, vrasja e afrikano-amerikanëve nga policët, vrasja e kujtdo nuk e zgjidh këtë problem,” shprehet Lauren Rose një e afërm e policit të vrarë.

Një anketë e fundit tregon se ndër amerikanët po shtohet pesimizmi lidhur me gjendjen e marrëdhënieve racore. Në një fjalim kohët e fundit, Presidenti Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve të përqëndrohen në pikat e përbashkëta mes tyre. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest pohoi dje se qetësimi i tensioneve racore do të kërkojë kohë:

“Ky problem nuk do të mund të adresohet, trajtohet apo zgjidhet për gjashtë muaj, dhe as për gjashtë vjet. Ky problem kërkon vëmendje të vazhdueshme dhe vullnetin e mirë nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, kërkon që institucionet qeveritare ta trajtojnë si përparësi”.

Tronditja dhe dhimbja që kanë shprehur njerëzit për vrasjen e policëve dhe civilëve afrikano-amerikanë nga policët e bardhë tregon se popullata është e përkushtuar për të gjetur zgjidhje.

XS
SM
MD
LG