Lidhje

Reforma në Drejtësi ngec sërish

  • Armand Mero

Pas arritjes së marrëveshjes shfaqet problemi i emërimeve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit e Lartë Gjyqësor. Ambasada e SHBA-ve: Opozita kërkesë të papranueshme. Përpjekje të qëllimshme për të bllokuar Reformën. Xhafaj i PS: Opozita me kërkesa të reja. PD hedh poshtë akuzat

Në Shqipëri, është rithyer ngërçi për Reformën në Drejtësi. Pak orë pasi palët deklaruan arritjen e një marrëveshjeje, me ndërmjetësinë e Komisionerit europian Johannes Hahn, sërish janë rishfaqur probleme, ndërsa detajet e rakorduara do të duhej të përshtateshin në projektin e ndryshimeve kushtetuese. Anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës në Drejtësi, së bashku me përfaqësuesin e LSI-së, janë bashkuar mbrëmë në sallën e Komisionit të Posaçëm, duke deklaruar se ishin në pritje të kolegëve socialistë. Përfaqësuesi demokrat Oerd Bylykbashi tha se formula për të cilën është rënë dakort për institucionet e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të duhej të zbatohej edhe për dy institucionet e tjera Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas tij kjo ishte pranuar në parim dhe nga negociatori socialist në bisedimet e dy ditëve më parë. Zoti Bylykbashi deklaroi se Komisioni i Posaçëm ka votuar pa praninë e opozitës një tjetër formulë për të cilën nuk ka patur dakortësi.

Por në mesnatë, kryetari i Komisioni të Posaçëm Fatmir Xhafaj deklaroi se ai nuk kishte thirrur asnjë mbledhje komisioni. Sipas tij, negociatorët që kishin nisur bisedimet të hënën, do të duhet t’i kishin përmbyllur ato duke reflektuar elementët e dakortësuar me komisionerin Hahn. Zoti Xhafaj, shpjegoi se ekspertët e OPDAT-it dhe BE-së kishin përgatitur projektin që pasqyronte këto element, por se përfaqësuesit e opozitës, siç tha ai, “kishin një tjetër axhendë për të nxjerrë probleme të tjera”. Zoti Xhafaj shpjegoi se për formulën e emërimeve të anëtarëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, është zbatuar varianti i “votës së transferueshme”, një formulë sipas së cilës nga 5 kandidaturat për secilin institucion 3 përzgjidhen nga shumica dhe 2 nga opozita.

Në një deklaratë të shpërndarë në mbrëmje vonë, ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh “e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, zoti Basha, ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”, thekson ambasada në deklaratën e saj duke shtuar se “paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA-së dhe BE-së. Nëse zoti Basha – vijon më tej teksti - nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik”. Ndërsa Delegacioni i Bashkimit europian ka nënvizuar në një tjetër deklaratë theksohet se "ne shpresojmë se dakordësia e Kryetarit Basha dhe PD që iu bë e ditur sot në formë zyrtare të shkruar komisionerit është ende e vlefshme. Kjo është çështje kredibiliteti personal dhe politik".

Edhe raportuesi për Shqipërinë në parlamentin europian, Knut Fleckenstein, i cili mbërriti dy ditë më parë në Tiranë, në një përpjekje për të nxitur një zgjidhje mes palëve, ndërsa kishte përshëndetur pasdite, arritjen e marrëveshjes së deklaruar nga vetë palët, në mbrëmje vonë u shpreh i tronditur nga zhvillimet e fundit. "Probleme të reja nga Shqipëria? Nuk mund ta besoj! Jam me të vërtetë i mërzitur. Do të presim votimin e nesërm? Pastaj do të shohim. Më vjen keq!"

Por Partia Demokratike, në një deklaratë të saj ka reaguar duke “hedhur poshtë çdo pretendim se bllokimi i ndodhur orët e fundit vjen prej saj. Partia Demokratike rikonfirmon se negociatorët Bylykbashi, Agaçi dhe Manjani, të hënën mbrëma kanë rënë dakord që formula e propozimit hibrid për institucionet e vetingut do të përdoret edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë Prokurorial. Kjo është një formulë në përputhje me rekomandimin e Venecias e aprovuar si e tillë nga komuniteti ndërkombëtar dhe së fundmi edhe nga Partia Socialiste dhe ditën e sotme edhe nga Edi Rama”. Sipas demokratëve “hapi mbrapa i përfaqësuesve të PS në Komision, kërkesa për t’u kthyer në formulën e votës së vetme të transferueshme të refuzuar publikisht nga Partia Demokratike, dhe refuzimi për të zbatuar marrëveshjen është një zhvillim dramatik”, përfundon deklarata e PD-së.​ Por sipas socialistit Xhafaj, në negociatat e së hënës, ka qenë vetëm një çështje në diskutim, ajo për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve e po ashtu dhe propozimi i zonjës Nuland, fokusohej vetëm në këtë çështje dhe institucionet që do kryejnë verifikimin, dhe nuk ka prekur formulën për dy institucionet e tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG