Lidhje

Cruz refuzon të mbështesë kandidatin Trump


Ted Cruz
Ted Cruz

Senatori Ted Cruz refuzoi të mbështesë mbrëmë kandidatin republikan për president, Donald Trump në kuvendin e partisë, duke shkaktuar thirrje të zemëruara mes mbështetësve të zotit Trump dhe duke krijuar plasaritje në fasadën e unitetit të partisë që ishte ndërtuar me shumë kujdes në prag të Kuvendit në Klivlend.

Kuvendi republikan, dita e fundit
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:40 0:00

Delegati republikan Ken Cuccinelli i tha Agjencisë së lajmeve Reuters se kishte shoqëruar bashkëshorten e zotit Cruz, Heidi, jashtë sallës së Kuvendit për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë së saj.

Zoti Cruz, i cili e përfundoi i dyti garën e emërimit brenda partisë dhe shumë larg zotit Trump, nuk u shpreh mbrëmë në mbështetje të zotit Trump dhe e përmendi atë vetëm një herë, duke shkaktuar thirrje të zemëruara dhe duke bërë që pjesmarrësit në Kuvend të thërrisnin në kor: "Duam Trumpin."

Kandidatët Trump dhe Cruz patën debate të hidhura gjatë fushatës, të cilat u kthyen disa herë në sulme mjaft personale.

Cruz e filloi fjalimin duke thënë: "Dua të përgëzoj Donald Trumpin, i cili mbrëmë fitoi emërimin."

Më pas ai u bëri thirrje votuesve me fjalët: “Do t’ju lutesha të mos qëndronit në shtëpi në nëntor, por ngrihuni në këmbë, flisni dhe votoni sipas ndërgjegjes suaj; votoni për kandidatët që doni, ata që ju besoni se mbrojnë liritë tona dhe i qëndrojnë besnikë Kushtetutës.”

Zoti Trump, i cili do të përfaqësojë partinë në zgjedhjet e 8 nëntorit kundër kandidates së pritshme demokrate, Hillary Clinton, hyri në sallën e Kuvendit kur fjalimi i zotit Cruz ishte duke përfunduar. Ai i duartrokiti fjalët e zotit Cruz, duke zhvendosur njëkohësisht vemendjen e njerëzve larg ish-rivalit të tij.

Gjatë fushatës për emërimin e partisë, zoti Trump përdori fjalë fyese ndaj pamjes së jashtme të bashkëshortes së zotit Cruz dhe la të kuptohej se babai i zotit Cruz ishte me vrasësin e Presidentit John F. Kennedy para se të ndodhte vrasja në Dallas në vitin 1963.

Në një fjalim pak çaste pasi Cruz kishte përfunduar fjalimin, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich e mori në mbrojtje senatorin.

"Mendoj se ju e keqkuptuat një paragraf të Ted Cruzit, i cili është orator i shkëlqyer. Ted Cruz tha se ju mund të votoni sipas ndërgjegjes suaj për këdo që do të mbështesë Kushtetutën. Në këto zgjedhje, ka vetëm një kandidat i cili do të mbështesë Kushtetutën", tha zoti Gingrich.

"I vetmi kandidat i mundshëm këtë vjeshtë është dyshja presidenciale republikane Trump-Pence", tha zoti Gingrich.

Një tjetër rival i zotit Trump, i mposhtur në garën për emërimin e partisë, senatori Marco Rubio nga Florida, foli në Kuvend nëpërmjet videosatelitit. Ai e vlerësoi zotin Trump për angazhimet e tij në ruajtjen e sigurisë kombëtare, uljen e taksave dhe emërimin e gjykatësve konservatorë në Gjykatën e Lartë.

"Koha për të luftuar njëri-tjetrin ka mbaruar. Është koha për të luftuar për një drejtim të ri për Amerikën. Është koha për të fituar në nëntor", tha zoti Rubio.

Drama e mbrëmshme nuk e pengoi kandidatin e zotit Trump për zëvendëspresident, Guvernatorin e shtetit Indiana, Mike Pence, të pritej në Kuvend me entuziazëm. Duke pranuar emërimin, zoti Pence e përshkroi kandidatin Trump si një mik të shtresës punëtore që ka punuar me këmbëngulje në botën e biznesit. "Ai është njeri i cili i kthen fjalët në punë në një lojë që zakonisht është e rezervuar për ata që flasin", tha zoti Pence.

XS
SM
MD
LG