Lidhje

Mynih, 10 të vrarë, përfshirë personin që sulmoi


Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thirrur për sot një takim të ngutshëm të Këshillit të saj të sigurisë për të diskutuar mbi masakrën në një qendër tregtare të Mynihut që la 10 të vdekur, duke përfshirë edhe personin i cili ndërmori sulmin.

Pas disa orë frike dhe bastisjesh, policia në Mynih tha të shtunën herët në mëngjes se bëhej fjalë për vetëm një person të armatosur dhe se ai kishte vrarë veten.

Një mesazh në Twitter nga policia në kryeqytetin bavarez konfirmon se ka pasur 10 të vdekur, duke përfshirë personin e armatosur.

“Bëhet fjalë për një sulm çnjerëzor dhe mizor,” dhe nuk përjashtohen motivet terroriste, tha Peter Altmaier, shefi i kabinetit të zonjës Merkel.

Ministrat e Kabineti do të shkojnë sot gjatë ditës në Berlin, për takimin e sigurisë të thirrur nga zonja Merkel.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se ajo që ndodhi në Munich ishte "një sulm i qartë terrorist", që duhet të dënohet në mënyrën më të fuqishme.

Presidenti Barack Obama shprehu keqardhje për viktimat, duke komentuar në një takim të zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Ai tha: "Zemrat tona janë pranë atyre që mund të jenë plagosur."

Presidenti premtoi të gjithë mbështetjen e mundshme për Gjermaninë, një nga aleatet më të ngushta të Shteteve të Bashkuara.



Trego komentet

XS
SM
MD
LG