Lidhje

Gjermania do të shtojë praninë e policisë në vende publike


Ministri i Brendshëm gjerman Thomas De Maiziere, urdhëroi shtimin e numrit të policëve në aeroporte, stacione treni dhe vende publike.

Ai i bëri komentet pas njoftimit të zyrtarëve se në celularin e një siriani 27-vjeçar i cili hodhi veten në erë të dielën pranë një festivali muzikor plot me njerëz, ishte gjetur një video, ku ai shprehte besnikëri ndaj udhëheqësit të grupit Shteti Islamik.

Megjithatë, ministri gjerman tha se njerëzit nuk duhet të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës.

Po sot, zyrtarët kishin pohuar se nuk ekzistonte një "model i caktuar” për sulmet e fundit në Gjermani, që përfshinin edhe një masakër të premten në një qendër tregtare të Mynihut, ku mbetën 9 të vrarë.

Zyrtari kryesor i Bavarisë për sigurinë tha se në celularin e sirianit 27-vjeçar që hodhi veten në erë të dielën në Ansbach, duke plagosur 12 vetë, ishte gjetur një video, ku ai shprehte besnikëri ndaj udhëheqësit të grupit Shteti Islamik.

Joachim Herrmann tha se në videon e gjetur, personi në fjalë njoftonte për një sulm hakmarrës kundër Gjermanisë.

Zoti Herrman u tha gazetarëve se videoja është një sinjal i fortë se ngjarja e së dielës ishte një sulm terrorist.

Përpara tij, zëdhënësja e qeverisë gjermane Ulrike Demmer, tha se nuk ekzistonte një lidhje midis refugjatëve dhe rrezikut të terrorizmit.

Ajo theksoi se "shumica e terroristëve që kanë kryer sulme në Evropë muajt e fundit nuk kanë qenë refugjatë":

"Aktet e ditëve dhe javëve të fundit nuk flasin për një model të caktuar. Shumica e terroristëve që kanë kryer sulme në Evropë muajt e fundit nuk kanë qenë refugjatë, dhe kjo përputhet me studimet e fundit që tregojnë se rreziku i terrorizmit nuk është as më i madh dhe as më i vogël mes refugjatëve se sa është në pjesën tjetër të popullsisë. Megjithatë, qeveria është duke marrë çdo rast seriozisht."

Shpërthimi, në të cilën i dyshuari u vra dhe u plagosën 12 vetë, erdhi dy ditë pas masakrës në një qendër tregtare të Mynihut, ku një person vrau nëntë të tjerë me armë zjarri si dhe pas një sulmi me sëpatë në një tren pranë Wuerzburgut të hënën e kaluar, ku u plagosën pesë vetë.

Dje, një sirian vrau një grua me hanxhar dhe plagosi dy të tjerë jashtë një stacioni autobusësh në qytetin jugperëndimor Reutlingen para se të arrestohej.

Një zëdhënëse e policisë së Bavarisë, tha sot se ishte e paqartë në se personi ishte militant islamik, dhe se hetimet janë duke vazhduar.

XS
SM
MD
LG