Lidhje

Tregtia në kufirin SHBA-Meksikë


Border Town Boom
Border Town Boom

Në Kuvendin Demokrat në Filadelfia këtë javë, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e cila pritet të marrë emërimin e partisë së saj si kandidate në zgjedhjet presidenciale, do t’iu kundërvihet propozimeve të rivalit të saj, kandidatit republikan Donald Trump, ndër të cilat një propozim për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën. Të premten, Presidenti Barak Obama priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Meksikës Enrique Pena Nieto për të vënë në dukje marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Siç njofton korrespondenti Greg Flakus nga qyteti Tuson në Arizona, amerikanët që jetojnë pranë zonës kufitare duan të ruajnë marrëdhëniet e mira me fqinjin e tyre jugor, duke forcuar sigurinë në kufi dhe duke shtuar aktivitetin e përbashkët të biznesit.

Në pikën kufitare Mariposa, mallrat dhe njerëzit lëvizin pa pushim në të dyja drejtimet mes Nogales në Meksikë dhe Nogales në Arizona. Shumë meksikanë me viza vijnë në Shtetet e Bashkuara për punë apo blerje.

Por pritja e gjatë në kufi dhe barriera e ndërtuar përgjatë kufirit pengojnë lëvizjen e shumë imigrantëve, thotë aktivisti për të drejtat e imigrantëve Randy Mayer:

“Këtu pranë kufirit shohim që biznesi dhe tregtia thuajse ngecin dhe si rezultat po vuan një aktivitet që duhet të ishte me vlerë prej disa miliarda dollarësh”.

Megjithatë tregtia mes dy vendeve vazhdon të sjellë fitime për qytetin Nogales dhe për Tuson që ndodhet rreth 100 km në very.

Mike Varney, President dhe Shef Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë për Tusonin, thotë se nevojitet balancë mes sigurisë dhe tregtisë:

“Duam të mos lejojmë futjen e keqbërësve dhe fenomeneve negative, por duam gjithashtu të mos pengojmë tregtinë ndërkufitare”.

Zoti Varney thotë se meksikanët kontribuojnë shumë në ekonominë lokale.

“Meksikanët vijnë në zonën e Tusonit dhe shpenzojnë rreth 1 miliard dollarë në vit në dyqane e hotele, paguajnë për mallra e shërbime nga më të ndryshmet”.

Por ajo që ka rëndësi edhe më të madhe, thotë ai, janë korporatat që ngrenë qendrat e tyre ose zyra operacionesh për projekte industriale apo biznese –import-eksport përmes kufirit.

Zoti Varney shpesh e humb durimin nga pamja e shtrembëruar që i jepet realitet kufitar në lajme:

“Zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës nuk janë tema aq sensacionale sa operacionet anti-drogë në këtë zonë. Por këtu në Arizonë e vlerësojmë shumë tregtinë ndërkufitare dhe duam ta zgjerojmë me sa mundemi”.

Shumë banorë të Arizonës fajësojnë imigracionin e paligjshëm për ngecjen e rrogave për punëtorët amerikanë, për rritjen e kostos së arsimit dhe kujdesit shëndetësor si dhe shtimin e krimeve të dhunshme. Votuesit kanë mbështetur projekt-ligje për të kufizuar imigracionin, ndërsa udhëheqësit e biznesit kanë kërkuar masa më të buta.

“Realiteti i këtushëm ndërthur rryma të ndryshme politike; ndërthur tregtinë me ekonominë; me elementë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo krijon një recetë komplekse, ku çdo element kërkon vëmendje,” thotë Mike Varney.

Zoti Varney thotë se e ardhmja premton shtimin e biznesit dhe tregtisë ndërkufitare pasi të përfundohen dhe të vihen në punë pikëkalimet e reja kufitare.

XS
SM
MD
LG