Lidhje

Mekanizëm financimesh për bujqësinë


Programit të qeverisë shqiptare dhe BERZH-it i bashkohen dhe 4 banka e 2 institucione mikrokrediti. Fondi për linja kredie arrin në 300 milion euro. Një pjesë e fondit do përdoret si garanci për bankat dhe për mbulimin e rriskut

Në Tiranë qeveria shqiptare dhe Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Berzh, nisën sot zbatimin e një programi financiar në mbështetje të agrobiznesit. Programi, të cilit i janë bashkuar dhe katër banka dhe dy institucione mikrokrediti, parashikon një fond prej më shumë se 300 milion eurosh për kredi sipërmarrjeve të këtij sektori. Një pjesë e këtij fondi do të shërbejë si garanci apo dhe mbulimin e rriskut për bankat të cilat do të japin hua gjatë periudhës tre vjeçare të këtij projekti

Ndonëse agrobiznesi dhe veçanërisht bujqësia janë punëshënësit kryesor për 50 përqind të popullsisë rurale në Shqipëri, mundësia e financimeve nga ana e bankave ka qenë gjithnjë shumë e ulët, për shkak të fragmentarizimit të këtij sektori apo dhe informalitetit të lartë. Deri më tani kredia e dhënë sektorit të bujqësisë është rreth 2 përqind e totalit të huave të lëshuara nga bankat, ose vetëm disa dhjetra milion euro.

Pas një marrëveshjeje të arritur që vitin e kaluar mes tyre, qeveria dhe Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Berzh, njoftuan sot nisjen e zbatimit të një program të posaçëm financimi për sektorin e agrobiznesit. Përmes fondeve të tyre Qeveria dhe Berzh do të bëhen garante ndaj bankave tregtare, duke marrë përsipër dhe mbulimin e rrisqeve për huatë që do t’i jepen këtij sektori. Qeveria shqiptare ka mundësuar një fond prej 36 milionë eurosh nga buxheti i saj përgjatë tre viteve në mbështetje të programit dhe BERZH siguron deri në 100 milionë euro në financim dhe instrumente të ndarjes së rrezikut. Kontributi i BERZH dhe i Qeverisë do të mundësojë huadhënien nga institucionet financiare partnere prej 180 milionë euro, me një potencial prej 300 milionë euro hua për sektorin bujqësor në monedhën vendase apo të huaj. Janë katër banka dhe dy institucione mikrokrediti që veprojnë në Shqipëri të cilat i janë bashkuar këtij programi.

Për kryeministrin Edi Rama ky është një moment historik për të bërë një kthesë rrënjësore për sektorin e bujqësisë dhe transformimin e tij, në një kohë kur siç u shpreh ai, edhe mjaft sipërmarrës që në të kaluarën kanë vepruar në sektorë të tjerë të ekonomisë tanimë kanë kthyer sytë nga bujqësia: “Kjo është një tendencë që ne duam ta mbështesim shumë fort dhe ky program është një mbështetje e sigurt për ta zhvilluar më tutje këtë tendencë. Por nuk është vetëm kjo. Ne duam që t’i japim një mundësi të re të gjithë atyre që jetojnë në fshat dhe që kanë ngritur me shumë mundim fermat e tyre dhe që sot janë në gjendje që t’i shtrijnë ato më tutje, por kanë nevojë për një mbështetje të arsyeshme financiare”.

Për presidentin e BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti, ky program i cili do të mbështesë zgjerimin e potencialit të sektorit të bujqësisë në Shqipëri, është dhe një shembull i shkëlqyer se si përqasja e koordinuar e aktorëve të ndryshëm mund të prodhojë një nismë të plotë që është më e madhe se shuma e të gjithë pjesëve të saj.

Sektori i bujqësisë shihet si një përparësi për zhvillimin ekonomik të vendit, por duket se rruga e tij është ende e vështirë. Në tremujorin e parë të këtij viti rritja e tij ishte vetëm 0,1 përqind, ndërkohë që tremujorin e mëparshëm patu një rritje negative.

XS
SM
MD
LG