Lidhje

Interviste me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta


Zëri i Amerikës: Z. Meta ju vini në një kohë tensionesh politike në Shqipëri ku u vu në diskutim edhe vazhdimi i qeverisë. Por para se të kalojmë tek ato marrëdhënie, mund të na flisni pak për përshtypjet e Kuvendit ku dihet siç thamë edhe nga raporti që ka pasur edhe debat dhe dramë për të tërhequr mbështetësit e z. Sanders që të përqafojnë kandidaturën e znj. Clinton?

Ilir Meta: Unë nuk do të dëshiroja të hyja në çështjet e brendshme as të demokratëve dhe as të qytetarëve amerikanë. Nuk mund të mos e fshehim simpatinë për bashkëpunimin që kemi patur me znj. Clinton në pozicione të ndryshme në të kaluarën. Por padyshim për mua kjo është një eksperiencë e mrekullueshme sepse jam për herë të parë në Konventën e Demokratëve dhe besoj se do të më vlejë dhe mua, dhe gjithë të pranishmëve që janë dhe nga vendi ynë për të mësuar më shumë, për të çuar demokracinë më përpara në vendin tonë dhe brenda partive tona.

Zëri i Amerikës: Po të bënin një paralelizëm ka një farë ndryshimi në mënyrën e bërit të politikës në Shtetet e Bashkuara me Shqipërinë. Për shembull një nga prirjet politike në Shqipëri është se në qoftë se anëtarët e parlamentit duhet të votojnë, nga drejtimi i partisë i kërkohet që të votohet në një mënyrë të caktuar, duke folur ndonjëherë edhe për shitje votash, ndërkohë që ata mund të votojnë si të duan apo jo?

Ilir Meta: Duhet të kemi parasysh që sistemi ynë politik në Shqipëri është i tillë që bazohet në listat e partive, që nuk është sistemi që ne kemi dëshiruar dhe e kemi kontestuar, pra flas si Lëvizje Socialiste për Integrim. Në këtë kuptim mendoj që ka të bëjë patjetër vendimi politik i partisë. Por në qoftë se ju e keni fjalën për rastin konkret, mendoj që mund të ishin harxhuar fare pak energji për konsensusin sepse ishte plotësisht i mundur se sa u harxhuan për vota individuale duke vënë shpesh herë në pozicion të vështirë deputetë të caktuar.

Zëri i Amerikës: Z. Meta më lejoni të bëj disa pyetje për reformën në Shqipëri. Së pari në traditën e politikës shqiptare, nuk është herë e parë që krijohet një dramë e madhe përpara se të arrihet zgjidhja. Pra shkohet, nëse do të shprehem figurativisht, deri në buzë të greminës, dhe pastaj në sekondën e fundit palët arrijnë kompromisin. Por përshtypja këtë herë është se niveli i dramacitetit u ngrit në një shkallë të re të pa parë dhe shumë thonë se rreziqet nga reforma ishin personale dhe të larta për vetë ata që do e miratonin atë. A ndani edhe ju mendimin që shumë politikanë në Shqipëri kanë frikë nga një sistem i pavarur drejtësie?

Ilir Meta: Unë mendoj se të gjithë ata politikanë të cilët nuk i kanë shërbyer konsensusit sipas standardeve të Komisioni të Venecias, kanë shprehur shqetësime për të ardhmen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Së dyti dua t’ju siguroj se qëndrimi im, edhe si Kryetar i Parlamentit që ka përgjegjësitë e caktuara në rastin konkret, edhe përsa i takon procedurave dhe jo vetëm kaq, por edhe si Kryetar i LSI-së që kishte një rol të rëndësishëm në këtë proces, pra në çdo rast, si në arritjen e konsensusit, akoma më tepër në mos arritjen e konsensusit, ka qenë një dhe vetëm një: Konsensus dhe sipas Komisionit të Venecias.

Dhe në rast se opozita nuk do të pranonte një draft të standardeve të Komisionit të Venecias, ne do të votonim edhe pa opozitën. Por unë besoj dhe u sqarova shumë qartë pas takimit me z. Basha se ishte tërësisht i mundshëm konsensusi. Opozita mund ta them sot pa ndroje dhe pa asnjë hezitim, sepse procesi ka përfunduar mrekullisht shumë mirë në të mirë të gjithë shqiptarëve dhe në radhë të parë të kësaj reforme që duhet të prodhojë drejtësi të pavarur, opozita kishte plotësisht të drejtë për rekomandimin 88.

Unë u binda pasi u takova me z. Basha. Këtë qëndrim ia kam shprehur edhe partnerëve të mi të koalicionit. Ua kam shprehur edhe përfaqësuesve ndërkombëtarëve pasi jam konsultuar dhe e kam konsultuar këtë rekomandim me ekspertët nga më të mirët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët na asistojnë për reformën në drejtësi. Po të vëmë re më pas, ardhja e znj. Nuland, Ndihmës Sekretarja Amerikane për Europën, e cila përcaktoi që duhet punuar për konsensus dhe duhet respektuar edhe sovraniteti i vendit, ndërhyrja e Komisionerit Hahn, por edhe ndërhyrjet e jashtëzakonshme të ambasadorit Lu në ditën para votimit, bënë të mundur që një gjë që askush nuk e besonte, edhe unë vetë nuk e besoja deri në 140.

Një votim i cili mund të quhet një konsensus patriotik që nuk duhet helmuar me reagime, deklarata si parlamenti i djeshëm. Por duke qenë se dje ka qenë pushim në Shqipëri, le të mos e quajmë dhe le të vazhdojmë në atë seancë të atij votimi të përgjegjshëm, patriotik të 140 deputetëve të popullit shqiptar në mënyrë që ajo dritë që lindi në mesnatën e 21-22 korrikut, të ndryshojë rrugën e Shqipërisë evropiane dhe ne për gjerat që janë në interes të shtetit të arrijmë konsensusin, të arrijmë bashkëpunimin sepse Shqipëria bën edhe pa Ilir Metën Kryetar Parlamenti, bën edhe pa Edi Ramën Kryeministër, bën edhe pa Lulzim Bashën Kryetar i Opozitës, edhe pa të tre sëbashku në jetën politike. Por Shqipëria nuk bën dot asnjë hap të rëndësishëm përpara pa konsensus për çështjet më të mëdha të shtetit, pa bashkëpunim, pa dialog politik.

Zëri i Amerikës: Z. Meta ju bëtë disa lëvizje të pazakonta politike duke kërcënuar me qeverisje teknike apo dhe me dorëheqje nëse reforma nuk do të miratohej me konsensus. Ju jeni ndër politikanët më me përvojë në Shqipëri, që keni arritur sot të bëheni përcaktues se cila forcë e mban pushtetin dhe vetësakrifikimi nuk është në natyrën tuaj. Si duhen kuptuar këto lëvizjet tuaja?

Ilir Meta: Së pari kjo është çështje e kujtesës sepse unë kam dhënë dorëheqje nga kryeministër për arsye sepse Partia Socialiste bëri një faull me zgjedhjet e vitit 2001 me çështje e “Dushkut”, dhe madje mund t’ju them sot këtu publikisht para gjithë shqiptarëve se për shkak se Parlamenti Europian vendosi sanksione që Presidenti në Shqipëri nuk duhej të zgjidhej me 84, edhe pse mazhoranca jonë kishte 87 vota për shkak të “Dushkut”, unë nuk pranova kompromisin e propozuar nga kryetari i PS në atë kohë që unë të bëhesha edhe Kryeministër edhe Kryetar i PS-së në atë kohë, dhe ai të bëhej President. Përkundrazi, i shërbeva një zgjidhjeje që sakrifikonte edhe karrierën time duke pranuar që ai të ishte në detyrën e Kryeministrit dhe më pas kemi pranuar që të zgjedhim një President konsensual, siç ka qenë rasti i z. Moisiu.

Së dyti, unë kam qenë ai politikan që ka qenë në koalicion me Sali Berishën për të liberalizuar vizat, për të stabilizuar vendin, por kur ka ardhur momenti kritik që është krijuar një konflikt me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një ligj të caktuar, kam dalë para Parlamentit dhe e kam bërë të qartë që jo vetëm nuk do ta mbështesnim atë ligj sepse cënonte këto marrëdhënie, por kam vënë në diskutim edhe koalicionin me Sali Berishën. Dhe së treti, unë mund të kem vënë në diskutim shumë gjera, mund të kem vënë në diskutim qeverinë, mund të kem vënë në diskutim pozicionin tim si Kryetar Parlamenti dhe në rast se ajo do të miratohej pa konsensus,nuk do të isha më Kryetar Parlamenti. Mund të kem vënë në diskutim shumë gjera, por asnjëherë nuk kam vënë në diskutim reformën në drejtësi.

Dhe jam i lumtur që jam sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që mund t’iu them të gjithë kolegëve amerikanë në mënyrë të veçantë Ndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Broënfield, i cili më ka dhënë fuqi për të arritur një marrëveshje, mund t’i themi Ndihmës Sekretares Nuland që porositë e saj u zbatuan, mund t’i themi komisionarit Hahn i cili më telefoni dje dhe ai ishte i habitur dhe shumë i lumtur për konsensusin, se ne do të vazhdojmë këtë rrugë, duke filluar me ligjin për vettingun dhe me të gjitha ligjet e tjera sepse kjo reformë, e cila sapo ka lindur nuk duhet të lëndohet nga politika.

Nuk duhet të ketë dorën e politikës. Më pas politikanët cilëtdo qofshin, duke filluar nga Ilir Meta i pari, nga Edi Rama i dyti, nga Lulzim Basha i treti e kështu me radhë duhet të shkojnë dhe të përgjigjen përpara drejtësisë. Kjo është një gjë fare e qartë dhe fare e hapur. Unë e kam thënë që nuk bëhet reforma në drejtësi duke i thënë kundërshtarit do shkosh ti në burg, sepse nuk janë politikanët që bëjnë këto gjëra, por reforma në drejtësi bëhet duke thënë do të shkoj unë i pari në burg në rast se kam shkelur ligjin dhe kështu të shkojnë të gjithë të tjerët. Por, Shqipëria nuk mund të rrijë peng i konfliktit politik në asnjë mënyrë.

Zëri i Amerikës: Z. Meta, a pritet të mblidhet parlamenti këto ditë? Ka zëra dhe kërkesa që të mblidhet për të miratuar disa prej ligjeve dytësore që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese, siç është ai për shembull për vlerësimin e figurës së gjyqtarit?

Ilir Meta: Patjetër ne do të fillojmë me këtë projektligj. Kam pasur rastin të flas edhe sot me z. Basha. Jam në kontakt edhe me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, kam qenë në kontakt me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri. Dje e kam siguruar edhe komisionarin Hahn se do të bëjmë çdo gjë që kjo frymë konsensusi të vazhdojë sepse e tillë ka qenë marrëveshja edhe me miratimin e ligjeve. Dhe unë besoj absolutisht që kjo është plotësisht e mundur dhe të mësojmë nga kjo reformë dhe nga gabimet që kemi bërë deri në momentin e fundit, që për fat të mirë e kurorëzuam me sukses, për t’i bërë në kohë, me cilësi, me transparencë dhe me standarde të gjitha reformat që kërkon një Shqipëri e vërtetë evropiane.

Zëri i Amerikës: A është e mundur mbledhja e Parlamentit përpara se të fillojë sezoni i rregullt në shtator? A do të mblidhet Parlamenti këtë javë?

Ilir Meta: Parlamenti do të mblidhet në çdo moment që ne do ta vlerësojmë të rëndësishme, të gjithë aktorët e reformës në drejtësi, vendas dhe ndërkombëtarë. Pra, unë si Kryetar Parlamenti, z. Rama si Kryetar i Qeverisë dhe i Partisë Socialiste, z. Basha si Kryetar i Opozitës dhe dy ambasadorët e nderuar që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, partnerët tanë kryesorë në këtë reformë. Në këto momente, në çdo sekondë. Nuk ka gjë më të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Z. Meta, a shikoni mundësi praktike që të mblidhet parlamenti këtë javë, këtë të enjte?

Ilir Meta: Po, po patjetër, asnjë pamundësi praktike nuk ka, kjo është çështje vullneti, do respektohen procedurat kushtetuese. Ndërkohë, duhet të fillojë puna dhe i ftoj anëtarët e komisionit të posaçëm që të fillojnë punën që tani, që të shohin në radhë të parë ligjin për vettingun, që t’i hapet rruga menjëherë operacionit të monitorimit ndërkombëtar, që është një garanci tjetër për seriozitetin në implementimin e kësaj reforme dhe më pas të gjithë ligjet për Prokurorinë Speciale, për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjithçka tjetër.

Zëri i Amerikës: Z. Meta le të kalojmë pak tek marrëdhënies mes koalicionit. Figura me zë të Partisë Socialiste kanë thënë që nuk është më normale mënyra e funksionimit të koalicionit me LSI-në, ndërkohë që, vetë z. Luan Rama, një nga figurat e partisë suaj, ka shprehur rezerva për këtë koalicion. Si është situata?

Ilir Meta: Duhet të kemi parasysh që nuk duhet të ngatërrojmë qëndrimet për reformën në drejtësi, që është një reformë madhore, me interes kombëtar, me qëndrimet e koalicionit, që kanë rëndësinë e tyre. Unë dua t’i siguroj të gjithë socialistët, pra ata në Partinë Socialiste se unë jam ai njeri që i qëndron fjalëve, që i qëndron marrëveshjeve. Por duke qenë se politika jonë është e ngarkuar shumë me intriga, thashetheme, që u vunë re edhe gjatë reformës në drejtësi, unë për respekt të tyre dhe të cilitdo që ka një shqetësim apo keqinformim, jam gati të shkoj në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, qoftë edhe me ministrat e propozuar nga LSI dhe t’i sqarojmë për çdo çështje që ka të bëjë me përmirësimin e qeverisjes. Po kështu, e ftoj edhe zotin Rama, apo cilindo koleg nga Partia Socialiste të bëjë të njëjtën gjë, apo t’i mbledhim të dy grupet bashkë. Por, nuk duhet të përziejmë asnjëherë çështjet e shtetit, çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë në 20 – 30 vitet që vijnë, me çështjet e koalicionit tonë. Ne jemi gati të marrim çdo përgjegjësi për mosmbarëvajtjen e koalicionit në qoftë se kjo vlerësohet, dhe ne i pranojmë edhe gabimet, në qoftë se ka të tilla.

Zëri i Amerikës: Domethënë ju mendoni se koalicioni juaj do ta mbyllë mandatin 4 – vjeçar? A ka çarje aq të mëdha sa ta vërë këtë në rrezik?

Ilir Meta: Unë besoj se koalicioni ynë i ka të gjitha mundësitë ta mbyllë këtë mandat. Ka mundësi të përmbushë akoma më mirë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe ne jemi të angazhuar për këtë çështje. Dhe nuk i shoh këto dy çështje të lidhura me njëra – tjetrën, sepse në momentin që i shoh të lidhura, atëherë kam frikë se fillojmë dhe deformojmë këtë reformë të re që ka lindur në Shqipëri me shumë sukses, pavarësisht nga dhimbjet, nga vështirësitë e mëdha në mesnatën e 21 – 22 korrikut.

Zëri i Amerikës: Z. Meta, në këtë dinamikë politike duket që qëndrimet tuaja kanë ndryshuar karshi z. Basha. Ndërkohë që më parë ju e kritikonit, tashmë flisni për të me superlativa. E njëjta gjë vihet re edhe nga z. Basha...

Ilir Meta: Nuk e di se çfarë quhet superlativë në rastin konkret. Është e vërtetë që unë për z. Basha, në fushatën elektorale, në zgjedhjet lokale kur ai fliste për kandidatët e LSI-së dhe për LSI-në kam thënë që ai gënjen edhe për orën, kjo është shumë e vërtetë. Por, më duhet ta them, për hir të së vërtetës dhe të asaj që ndodhi, pavarësisht nga dyshimet që edhe unë kam pasur, se fjalën që Lulzim Basha më ka dhënë në takimin që kemi pasur përpara se të fillonin procedurat parlamentare, se në rast se ‘88-ta’ do të plotësohej, ai dhe Partia Demokratike do të mbështesnin miratimin e reformës në drejtësi, ai e ka mbajtur plotësisht. Dhe unë besoj që kjo është një gjë shumë pozitive dhe duhet vlerësuar. Dhe shpresoj që ai të vazhdojë në këtë linjë që të tregojë një lidership të ri, sepse kjo i bën mirë Shqipërisë dhe këtu nuk ka vend për diversione.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG